Pacolli premton se brenda gjashtë muajve kosovarët lëvizin pa viza

Pacolli premton se brenda gjashtë muajve kosovarët lëvizin pa viza

Aleanca Kosova e Re bashkë me partnerët e koalicionit LDK-LD-Alternativa, ka hapur sot fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme 2017 edhe në Obiliq, ku u prezantua programi i përbashkët qeverisës, kandidati për kryeministër si dhe kandidatet për deputetë nga radhët AKR-së dhe partive të tjera.

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli në fjalën e tij para qytetarëve tha se koalicioni AKR-LDK-LD-Alternativa është i duhuri.

Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve të Obiliqit që me datën 11 qershor të dalin dhe të votojnë.

“Çdo alternativë tjetër është e gabuar. Sikur lokomotiva që ngecë në një vend, as nuk lëvizë as nuk tërhiqet, ashtu ka mbetur Kosova jonë”, ka thënë ai.

Pacolli ka shtuar se koalicioni AKR-LDK-LD-Alternativa, mbështetet në vepra dhe punë.

“Ne do të krijojmë 80 mije vende të reja pune qysh në vitin e parë të qeverisjes, këtë ne e kemi kalkuluar mirë”, ka shtuar Pacolli, duke thënë se përmes rritjes ekonomike që do të jete 8 deri ne 10%, çdo student i diplomuar do ta ketë punën e sigurt, njofton Express.

Sipas tij, shumë shpejt do t’ua mundësojë qytetarëve të Kosovës edhe lëvizjen e lirë brenda gjashtë muajve.