Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik akuzohet nga Prokuroria për konflikt interesi

Ministri i ri i Zhvillimit Ekonomik akuzohet nga Prokuroria për konflikt interesi

Behgjet Pacolli ka konfirmuar sot emrat e katër ministrave të Aleancës Kosova e Re (AKR) në Qevrinë Haradinaj. Për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Pacolli ka njoftuar se ka përzgjedhur Valdrin Llukën.

Lluka ka një çështje të hapur me drejtësinë në Kosovë, raporton Gazeta Online Insajderi. Lluka ka të ngritur një aktakuzë për veprën penale “konflikt i interesit”

Ai dyshohet nga Prokuroria e Shtetit se në cilësinë e zyrtarit të lartë në MTI, njëkohësisht edhe Kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, më 23 mars 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ kishte qenë themelues.

Avokati i Valdrin Llukës, Arton Qerkini ka konfirmuar për Insajderin se aktakuza është dorëzuar në gjykatë nga prokuroria.

Përveç Llukës, tre emrat e tjerë që do të jenë ministra të AKR-së në Qeverinë Haradinaj, janë: Flamur Sefaj, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Albena Reshitaj në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Behgjet Pacolli në Ministrinë e Punëve të Jashtme. /Insajderi.com