Pacolli, përfituesi i madh i parave të shtetit, lavderohet që nuk merr meditje

Pacolli, përfituesi i madh i parave të shtetit, lavderohet që nuk merr meditje

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është lavdëruar që nuk merr meditje nga shteti. Ai përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se “Unë nuk e di çka janë mëditjet, paga ime shkon për bursa të studentëve”.

Por, multimilioneri Pacolli, për dallim të këtyre fjalëve, atij nuk iu ka dhimbsur buxheti i shtetit, duke e paditur Kosovën nëpër Gjykata Ndërkombëtare, shkruan Insajderi.

Padia e kompanisë në pronësi të Pacollit kishte të bëjë me rastin e Hotel Grandit të cilin Pacolli e kishte blerë e më pas i ishte anuluar ky privatizim. Kjo temë ka qenë një ndër më të komentuarat në vitet e fundit në Kosovë, sa i përket skandaleve të privatizimit në vend.

Insajderi kishte raportuar për këtë padi, të cilën më pas e kishte konfirmuar edhe vetë Pacolli.

Dokumenti i siguruar nga Insajderi, për padinë e Pacollit ndaj shtetit të Kosovës:

Kështu, në korrik të viti 2017, kompania e Pacollit “Mabco” me seli në Zvicër ushtroi padi ndaj shtetit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, përkundër faktit që për Hotelin Grand, në vitin 2015, kishte vendosur në formë të prerë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Të dyja kishin vendosur në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila e kthej në pronësi të vet Grandin pas problemeve me blerësit.

Mirëpo, përkundër që ky deklarohet se nuk merr meditje nga shteti, kompanitë e Pacollit, kanë fituar shuma të mëdha të parave, pikërisht nga buxheti i vogël i Kosovës.

Hoteli “Swiss Diamond Prishtina”, që është pronë e Pacollit, ka marrë qindra mijëra euro nga buxheti i shtetit, duke organizuar pritje shtetërore dhe evente të ndryshme, që janë organizuar nga institucionet e ndryshme vendore.

Por, përveç “Swiss Diamond Hotel”, Pacolli ka përfituar miliona euro nga buxheti i Kosovës, përmes kompanisë së ndërtimeve “Mabetex”. Në vetëm një projekt të ndarë në vitin 2008, nga qeveria e Kosovës, kjo kompani, kishte marrë hiç më pak se 14 milionë e 694 mijë euro.

Në vitin 2008, Qeveria e Kosovës pati favorizuar kompaninë “Mabetex” të Behgjet Pacolli duke i dhënë një tender për renovimin e Pallatit të Mediave që kapte shumën prej 14.694.453 euro.

“Mabetex”, kishte qenë fituese e shumë projekteve, që kanë të bëjnë në ndërtimin e objekteve dhe renovimin e tyre.

Edhe disa muaj më parë, kur në një darkë të organizuar nga vetë ai, prezent kishin qenë të gjithë krerët më të lartë të shtetit, të cilët ishin dakorduar që të fillonte një projekt për zhvendosjen e institucioneve vendore në periferi të Prishtinës – projekt i cili ende nuk ka nisur, por që kap vlerën e miliona eurove, dhe që Pacolli pati thënë që nuk ka asgjë të keqe që ndërtimin e tij ta bëjë kompania “Mabetex”.

“Ai që është më i zoti do ta ndërtojë. Në projekte të tilla nëpër botë ftohet kompania ime. Është kompania ime, por menaxhohet prej të tjerëve por nëse garon dhe ofron kushte më të mira pse të mos fitojë. Interesi financiar është minimal në këso rrethana. Nëse ndërtohet një projekt i tillë në Kosovë do të kushtonte 150-200 milionë euro, por i njëjti projekt diku jashtë do të kushtonte katër herë më tepër. Insistoj që edhe Kosova të ketë infrastrukturë dinjitoze”, kishte  thënë Pacolli.

Darka e krerëve të shtetit në vilën e Behgjet Pacollit

Pacolli kishte ditur që ta shfrytëzonte pozitën e tij politike në Kosovë, që t’i krijojë favore kompanisë së tij “Mabetex”.

Në vitin 2011 kur Behgjet Pacolli ishte zëvendëskryeministër po bënte biznes me Nigerinë, ani pse kishte dështuar që të siguronte në atë kohë njohje nga ky shtet për Kosovën. “Pacolli megjithatë nënshkroi një memorandum që i garanton atij një investim prej 1.4 miliardë eurosh në Nigeri”, raportonte “Koha Ditore”.

Pacolli tha në atë kohë se e bëri këtë për të “çimentuar” njohjen nga Nigeria, derisa tash si Kryediplomat i Republikës së Kosovës po tenton që t’ia heq vizat këtij vendi.

Insajderi kishte raportuar për tentimin e Pacollit, që si ministër i Punëve të Jashtme të merr vendim për heqjen e vizave ndaj shtetit të Nigerisë.

Por, në përgjigjen nga Bashkimi Evropian, ishte vërtetuar që kjo kërkesë e Pacollit, nuk i është aprovuar nga zyra e BE-së

Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri i Kosovës, vazhdon të jetë politikani më i pasur i vendit.

Në deklarimin e pasurisë, ai kishte deklaruar pasurinë e tij shumë milionëshe me shumicën e pasurisë së paluajtshme jashtë vendit.

Ai pati deklaruar në total pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme më shumë se 200 milionë e kapital të kompanive ku është pronar më shumë se 400 milionë euro.

Pacolli miliona euro ka edhe para të gatshme nëpër banka. Në total ai ka rreth 6 milionë euro në banka, dhe po ashtu 355 mijë dollarë.

Të hyra vjetore ka deklaruar dividentën në vlerë totale prej 5.3 milionë eurosh dhe interesin e depozitave prej 130 mijë eurove.

Pasuria e Behgjet Pacollit e deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit