Pacolli paralajmëron kthimin te marrëveshja e parë e demarkacionit

Pacolli paralajmëron kthimin te marrëveshja e parë e demarkacionit

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka folur për cështjen e demarkacionit.

Në një intervistë dhënë për Deutsche Welle, Pacolli është shprehur se qytetarëve duhet t’ju sjellim fakte për çështjen e demarkacionit.

Mirëpo Pacolli ka thënë se nëse nuk ka dëshmi ata do të kthehen prapë te marrëveshja e parë.

“Nëse nuk ka dëshmi ne do të kthehemi prapë te marrëveshja e parë. Mali i Zi nuk ka asnjë arsye të ngutet dhe të kërkojë diçka nga ne të cilën ne sot nuk mund ta bëjmë, siç është ratifikimi tash i asaj marrëveshjeje”, ka thënë Pacolli.

“Demarkacioni është një kusht i imponuar për Kosovën padrejtësisht dhe këtë ua kam thënë të gjithë atyre, me të cilët kam biseduar dhe në fund kisha biseda konstruktive dhe me komisionerin Johanes Hahn, zonjën Mogherini dhe ua kam thënë këtë dhe unë besoj që kam hasur në mirëkuptim dhe pothuajse është vendosur që të formohen dy grupe, një nga Kosova dhe një nga Komisioni Evropian për të biseduar mënyrën sesi të lirohemi nga kushti i demarkacionit dhe procesi i integrimeve të mos jetë peng i kësaj pike, por të ecet përpara dhe në procesin e integrimeve të përfshihet liberalizmi i vizave”, ka thënë Pacolli.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar komisionin për shënjimin e kufirit me Malin e Zi në krye me Murat Mehën. Në vend të tij ai ka vendosur Shpejtim Bulliqin. /Insajderi.com