Pacolli: PAN po e shkel Kushtetutën

15.08.2017 08:15
Pacolli: PAN po e shkel Kushtetutën

I pari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se koalicioni PDK-AAK-Nisma është duke e shkelur Kushtetutën.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka përmendur disa vendime të Gjykatës Kushtetuese të cilat sipas tij, vërtetojnë se PAN-i është shkelës i Kushtetutës.

“Nëse do t’ i referohemi vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, PO, e ka shkelur. Lexoni përshembull Rastin nr. KO 29/2011, pikat 79, 80, 81, 82, 83 dhe 84. Në këtë vendim argumentohet mbi bazën e Kushtetutës, rregullores së Kuvendit pse deputeti duhet të marrë pjesë në seancat plenare dhe se mospërmbushja e këtij detyrimi, është shkelje e kushtetutës”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli ndër tjera ka theksuar se Gjykata Kushtetuese është e përdorur politikisht.

“Pse e bën PAN-i këtë? A nuk është Kushtetuta e barabartë për të gjithë? Kjo situatë, na çon sërish në përfundimin se Gjykata Kushtetuese, e përdorur politikisht, nuk ka kurrfarë autoriteti. Kriza e sotme në Kosovë e ka një kapak gjoja kushtetues, që e ka nxitur atë. Çuditërisht tek ne, është Gjykata Kushtetuese që e thirrur për t’i zgjidhur krizat, i ka thelluar ato. Dhe ka krijuar pretekste për kriza të reja”, ka shkruar ndër tjerash Pacolli.

Ai po ashtu ka përmendur edhe rastin e vet kur Gjykata Kushtetuese ia mori mandatin e presidentit të vendit.

“Përshembull, vendimi për ndërprerjen e mandatit tim në mars 2011 ishte ndërhyrje në veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës; vendimi për mosndërprerjen e mandatit të zonjës Jahjaga në korrik 2012, shkeli një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit nga populli dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor”, ka shkruar Pacolli.

“Vendimi për mandatarin e krijimit të qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në korrik 2014, krijon pretekste për kriza të reja. Ata që në këto 3 raste e përdorën Gjykatën Kushtetuese, sot as nuk duan ta përfillin vendimin e saj që e dënon bojkotin e seancave si antikushtetues. Keq valla”, ka përfunduar, Pacolli./Insajderi.com