Pacolli: Pa AKR-në s’ka zgjidhje të ngërçit politik

Pacolli: Pa AKR-në s’ka zgjidhje të ngërçit politik

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se “seanca e sotme ishte thjesht një shprazje e urrejtjes, mllefit mes liderëve partiakë, duke u tallur me popullin. Po më dhimbset rinia, qytetari, ata që jetojnë mes halleve”.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli ka shkruar se “AKR kërkon urgjent të krijohet një konsensus midis partive të opozitës, për krijimin e qeverisë së re dhe sa më shpejt të dilet me një platformë alternative qeverisëse për qytetarin e Kosovës. Nuk mund të vijohet në paqartësi”, shkruan Insajderi.

Pacolli ka thënë se “Sot secili prej liderëve po tenton me qenë në majat e shtetit, si kryeparlamentar, kryeministër, ministër, me kapë pushtetin. Nuk u kursyen as me treguar se çdo të bëjnë në momentin kur të marrin pushtetin”.

Ai është shprehur se alternativa e tij për qeveri gjithëpërfshirëse do të jetë zgjidhja e vetme, “duhet të lihen mënjanë interesat grupore, individuale, partiake e të punohet në favor të Kosovës”.

Pacolli ka thënë se “mosfunksionimi dhe mungesa e gatishmërisë së dy partnerëve të opozitës për marrëveshje dhe fakti që ana tjetër nuk e ka shumicën e numrave nënkupton nevojën e konsensusit gjithëpërfshirës për interesat e vendit”.

Ai ka kërkuar nga partneri i tij koalicionit LDK dhe Lëvizjes Vetëvendosje të gjejnë zgjidhje, definojnë dhe të krijojnë qeverisjen aletrantive.

“Këtu po shihet se AKR edhe pse me pak deputet, duhet të veproj në zgjidhje e ngërçi”./Insajderi.com