Pacolli: Nuk shoh që LDK dhe VV mund ta bëjnë Qeverinë

31.08.2017 20:36
Pacolli: Nuk shoh që LDK dhe VV mund ta bëjnë Qeverinë

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, nëpërmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nga Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk po sheh asnjë përpjekje për të krijuar ndonjë marrëveshje.

Sipas Pacollit këto dy parti kanë lënë edhe AKR-në anash për shkak të interesave të tyre. Nga ana tjetër, ai thotë se partneri i tij parazgjedhor dhe VV, në vend se të gjejnë zgjidhje, po e rrisin hendekun e mospajtimeve mes tyre.

“Tashmë përfundoi edhe procesi I certifikimit të kandidatëve për kryetar të komunave, për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në tetor. AKR-ja kishte dakordim paraprak me dy subjekte politike, me LDK-në dhe VV(me LDK kishte marrëveshje me shkrim) për të ecur së bashku në këto zgjedhje, megjithatë ato vendosën që në fund AKR ta lejnë anash për shkak të interesave të tyre. Përkundër kësaj, AKR futet në këto zgjedhje e përgatitur dhe e gatshme për të prezantuar vizionin e saj zhvillimor, me kandidat dinjitoz dhe me vlera të dëshmuara”.

Pacolli ka shtuar se situata politike e bllokuar pas zgjedhjeve mund ta dërgojë vendin në një bllokadë totale.

“Në anën tjetër, AKR me deputetët e vet në Kuvendin e Kosovës që nga fillimi ka treguar gatishmërinë që bashkërisht me dy partitë tjera, LDK-në dhe VV të ndërtojnë një shumicë parlamentare e cila vendit do t’i jepte qeveri dhe do ta zgjidhte ngërçin politik të krijuar pas zgjedhjeve të qershorit”.

“Megjithatë, është shqetësues fakti që dy partitë e lartpërmendura, nëpërmjet deklaratave publike po vazhdojnë ta thellojnë hendekun, duke lëshuar akuza dhe kundër akuza ndaj njëri tjetrit. Unë nuk shof asnjë perspektivë për formimin e një qeverisje të raundit të dytë, në mes LDK e VV”.

“Unë ju drejtohet këtyre liderëve me një pyetje. A po I mendojnë dëmet të cilat ndoshta edhe për inate personale, po I shkaktohen vendit. A po I mendojnë humbjet financiare të shtetit të Kosovës, humbje të cilat ndikojnë direct në mirëqenien e qytetarëve, a po e mendojnë je Kosovës, ne këtë mënyrë po i tkurrën edhe mundësitë e lëvizës së lirë e shumëçka tjetër”, ka shkruar Pacolli.