Pacolli: Kisha ofertë për ta paguar sondazhin, por nuk e bëra

Pacolli: Kisha ofertë për ta paguar sondazhin, por nuk e bëra

Kryetari i Aleancës për Kosovën e Re, Behxhet Pacolli ka thënë se partia e tij ka pasur ofertë që të paguajë sondazhin e publikuar sot nga kompania “UBO-Consulting”.

Pacolli, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “nëse AKR-ja do t’i përgjigjej pozitivisht një kërkese të tillë, ndoshta do të dilte edhe partia e parë”.

“Një ofertë e tillë ka ardhur në janar të këtij viti”, është shprehur i pari i AKR-së.

“AKR dhe unë jemi të vendosur që të ecim përpara, në frymën e fitores, kthimin e shpresës për qytetarët e Kosovës dhe krijimin e perspektivës së punësimit për rininë tonë. Partitë do të ishte mirë që të angazhohen që qytetarit të Kosovës ti ofrojnë zgjidhje të problemevë dhe lehtësim të jetës, e jo sondazhe të porositura që e manipulojnë qytetarin”, ka thënë Pacolli.

Lideri i AKR-së është shprehur se “për gjendjen e mjerueshme të Kosovës dhe qytetarëve të saj, përgjegjës janë të gjithë këta politikanë dhe përfaqësues partish politike, bashkë me organizata që për qëllim e kanë pasurimin financiar”.

Sipas sondazhit të përgatitur nga “UBO-Consulting” e të prezantuar nga Lëvizja Vetëvendosje, është partia e Visar Ymerit që ka dalë e para nga rezultatet e sondazhit.

AKR, sipas këtij sondazhi, do të fitonte 5 për qind të votave nëse Kosova do të shkonte në zgjedhje këtë të dielë. /Insajderi.com