Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i cili njëherësh është edhe ministër i Punëve të Jashtme, ka deklaruar se ka ardhur koha që UNMIK-u të marrë një mision të ri në Kosovë – të shndërrohet në Zyre Politike e OKB-së.
Ai ka thënë se është mirënjohëse për rolin dhe kontributin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjatë procesit të shtet-ndërtimit të vendit tonë, megjithëkëtë, duke marrë parasysh rrjedhën e zhvillimeve në vend, që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, roli i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK është minimizuar dukshëm.
Këtë propozim Pacolli e ka dhënë gjatë takimit me ndihmës sekretaren e përgjithshme për Operacionet Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, Bintaoi Keita.
Në kuadër të këtij takimi, kryediplomati kosovar ka kërkuar që ndryshohet formati i diskutimeve mbi Kosovën, reduktim të seancave, pasi që ato po abuzohen nga Serbia për ta penguar Kosovën si dhe të reduktohet buxheti i misionit të UNMIK-ut në Kosovë.
“E di që nuk keni mundësi të ndryshoni dinamikën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por formati i tanishëm i diskutimeve mbi Kosovën duhet ndryshuar. Seancat duhet të reduktohen nga 4 në 1 apo 2 në vit. Dëshira jonë është të mos ndodhin ato fare apo të mbaheshin në një debat të mbyllur për publikun”, ka thënë Pacolli.
“Diskutimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së po abuzohet nga Beogradi, duke dhënë një narrativë të ndryshëm. Në Evropë Serbia synon të promovojë veten si një lojtar konstruktiv, ndërsa në OKB vazhdon me politikën e saj të vjetër për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe të paraqes një imazh të rremë se Kosova është ende një zonë konflikti”, ka thënë tutje ministri i Jashtëm Pacolli.
Ai ka kërkuar edhe zvogëlimin e buxhetit për UNMIK-un.
“Do të ishte mirë, që UNMIK-u ta zvogëlojë buxhetin, pasi që nuk reflekton realitetin në terren. Ne, e kuptojmë se kjo nuk është një vendim i marrë nga ju, por buxheti i UNMIK-ut nuk mund të shpenzohet për çështje që lidhen me çështjet politike, sundimin e ligjit apo fusha të tjera që mund të ndërhyjnë në kompetencën e Qeverisë”, ka shtuar numri dy i Qeverisë.
Nga ana e saj, ndihmës sekretarja e përgjithshme për Operacionet Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, Bintaoi Keita, ka vlerësuar zhvillimet pozitive që kanë ndodhur në Kosovë, rolin dhe angazhimin e deritanishëm që ka dhënë Misioni Paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara, bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, ndërkohë që është zotuar në adresimin e kërkesave nga kryediplomati kosovar Pacolli.