Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka insistuar edhe njëherë në idenë e tij për qeveri me bazë të gje" />

Pacolli insiston në idenë e tij për krijimin e qeverisë

Pacolli insiston në idenë e tij për krijimin e qeverisë

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka insistuar edhe njëherë në idenë e tij për qeveri me bazë të gjerë politike. Ai ka thënë se kështu mund të shpëtohet Kosova.

“Siç bëjnë të ditur mediat sot, ka dështuar një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit për të organizuar seancën konstitutive të tij. Edhe kjo që ndodhi është zhagitje e proceseve, është vetëmashtrim me kohën, nervat dhe energjinë e popullit të Kosovës. Për shkak të situatës së ndërlikuar dhe sfidat që ka Kosova, nuk na nevojitet qeveria e njërës palë kundër një tjetre, qeveria e kushtëzuar fuqishëm nga një Listë që merr urdhrat nga një shtet fqinjë që nuk e njeh Kosovën”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në Facebook.

“Kësisoj, zgjidhja që unë kam propozuar, një qeverisje me bazë të gjerë, e shumicës së partive, e shumicës apo e gjithë faktorëve, e të gjithë krahëve, e të gjithë qytetarëve të Kosovës, është zgjidhja më e volitshme”, ka shtuar më tej.

Sipas tij, Kryeministër i Kosovës mund të jetë secili për të cilin do të jetë konsensusi më i gjerë në interes të integrimit euroatlantik të Kosovës. Ndërsa shpreh bindjen se kjo zgjidhje do t’i shërbente konsolidimit të shtetësisë së Kosovës.

“Kështu do t’ i bëjmë me dije të gjithëve se fatin e Kosovës e kanë në duart e veta vetëm kosovarët. Një qeveri me konsensus të gjerë me mandat të kufizuar kohor, do t’i shërbente: Lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës nëpërmjet zgjidhjes së drejtë të demarkacionit dhe gjithë obligimeve të marra ndërkombëtarisht; miratimit të një ligji të denjë zgjedhor; rikonsolidimit dhe efektivitetit të administratës publike; trajtimit të pronës së Kosovës për interes të qytetarëve të saj; angazhimit të parezervë për pranimin e vendit tonë në Unesco dhe shtimin e numrit të njohjeve; krijimit të kushteve për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të punës”, ka thënë Pacolli.

“Ftoj miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, qeverinë e Shqipërisë, të na mbështesin në këtë objektiv. Nëse e duam Kosovën, ta qesim Kosovën dhe interesin e qytetarëve në radhë të parë”, ka shtuar më tej.