Pacolli flet për largim nga koalicioni

Pacolli flet për largim nga koalicioni

Koalicioni PAN do ta bojkotojë edhe seancën e sotme të Kuvendit, me ç’rast as dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve nuk po arrin të konstituohet.

Por kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se u ka thënë kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe Albin Kurtit nga LVV-ja se nëse brenda dhjetë ditëve nuk merren vesh për formimin e Qeverisë, atëherë qëndrimi i tij në koalicion është i pakuptimtë.

Koalicioni PAN nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës edhe pse e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar.

Ky koalicioni ka kërkuar që të mërkurën e ardhshme të ketë edhe një takim konsultativ mes partive në mënyrë që, siç kanë thënë ata, të enjten ose të premten e javës së ardhshme të caktohet seanca e radhës, shkruan “Zeri”.

Në seancën e së enjtes (sot), të thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci, pritet të marrin pjesë vetëm deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe ata të koalicionit LAA. Këta të fundit janë shprehur të sigurt se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, i cili deri më tash është kandidati i vetëm zyrtar i këtij koalicionit.