Pacolli demanton Hoxhajn për sigurimin e votave për UNESCO dhe Interpol

Pacolli demanton Hoxhajn për sigurimin e votave për UNESCO dhe Interpol

Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, ka thënë se ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj nuk po e thotë të vërtetën rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe Inperpol.

“Është për të ardhur keq kjo që po ndodhë të ne, në Kosovë! Para pak ditësh shpreha dëshpërimin tim se përfaqësuesit diplomatik të Kosovës nuk janë aktiv aq sa duhet për anëtarësimin tonë në UNESCO dhe Interpol. Menjëherë pasoi përgjigjja e Min. Hoxhaj se Kosova i ka bërë përgatitjet e duhura dhe i ka votat për anëtarësim”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e tij në Facebook.

“Me keqardhje ju them se Kosova në Konferencën e ardhshme as nuk ka aplikuar për anëtarësim dhe as nuk do të diskutohet për një anëtarësim të mundshëm”, ka shtuar ai.

Pacolli i kërkon ministrit të Jashtëm në largim, Enver Hoxhaj, që ta thotë të vërtetën para qytetarëve.

“Pse ministër nuk po ju tregoni këtë qytetarëve të Kosovës? Para pak ditësh në mënyrë bombastike thatë se nuk keni lënë shtet pa e vizituar dhe se çdo gjë është gati, “i kemi numrat”. Po frikësohem se e njëjta do të ndodhë edhe me Interpolin në shtator në Peking!!!!”, ka përfunduar postimi i tij.

Ministri i Jashtëm Hoxhaj ditë më parë deklaroi se Kosova i ka votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në UNESCO dhe Interpol./Insajderi.com