Paçaku: Prita kërkim faljen sepse mbi supe mbaj moralin e të gjithë romëve

Paçaku: Prita kërkim faljen sepse mbi supe mbaj moralin e të gjithë romëve

Problemi i racizmit vazhdon të jetë i pranishëm në shoqërinë kosovare.

Një paqyrë e këtij problemit në Kosovë u shfaq në bisedat e deputeteve të Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovci e  Safete Hadërgjonaj, në serinë e XXIV të “Dosjes së Shefave”, të cilët komunitetit RAE i drejtoheshin me “gabel dhe magjup”.

Për një gjë të tillë në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës,  shkrimtari e deputeti Kujtim Paçaku, kërkoi nga protagonistët e përgjimit që t`i kërkojnë falje.

“Nuk kam fuqi të ngreh ndonjë akt juridik, por nuk largohem nga kjo foltore, pa kërkuar falje”, tha ai para deputetve të Kosovës.

Me këtë gjest u duk sikur Paçaku e lëvizi debatin e heshtur, se racizmi është mes nesh e racistët jemi ne, në situata të ndryshme në jetën tonë, duke krahasuar “atë racë” e duke e asocuar me konotacione të shëmtuara.

Pas kësaj erdhi kërkim falja e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe protagonistit të përgjimeve Adem Grabovci.

Kurse tani në një intervistë për KultPlus, Kujtim Paçaku tha se nuk ishte qëllimi i tij të akuzoj ndokënd apo ta dërgoj në burg, por e bëri sepse kishte barrën e të gjithë komunitetit mbi supe.

“Mua në Bullgari sigurisht më kishte shkuar koka apo dora në një moment të tillë, ndoshta po e teproj pak por do më thoshin të flas në komisionin për të drejtat e njeriut, unë këtë e bëra dhe çka ishte më e mira për mua ishin duartrokitjet sepse në atë parlament ka pasur çdo gjë tjetër përpos debat, dhe kur në fjalimin tim dëgjoj duartrokitjet dhe e shoh se më përkrahin të gjithë, e shoh që kjo është Kosova”, nisi rrëfimin e tij Paçaku.

Paçaku tha se po të mos kishte reaguar ai, reagim gjithsesi do të kishte nga gazetarët, shoqëria civile në Kosovë, komuniteti i artistëve etj, ndërsa ai vetë  do të kritikohej rëndë.

“Ne mund të flasim çka duam në telefon, por jo ta ofendojmë dikë, sepse mund të them me plot bindje se përpos gjërave të tjera që e bëjnë të pamundur shkollimin e një romi është edhe racizmi, fjalët si magjup e gabel, edhe kjo mund të ndikojë që një fëmijë mos ta vazhdojë shkollën dhe arsimimin”, pohoi Kujtim Paçaku për KultPlus.

Paçaku tha se e nisi fjalimin e tij duke thënë se “Jam Kujtim Paçaku, shkrimtar, Deputet e jo magjup e gabel”, për tu treguar të gjithëve se komuniteti i tij ka shkrimtarë, ka muzicientë, ka këngëtarë e ka artistë me vlera të mëdha. /Insajderi.com