Pa ujësjellës dhe një spital i munguar – gara për të parin e Ferizajit

[Artikulli është pjesë e projektit për monitorimin e zgjedhjeve lokale 2017, mbështetur nga Friedrich Erbert Stiftung (FES).]

Pa ujësjellës dhe një spital i munguar – gara për të parin e Ferizajit

Komuna e Ferizajt e cila është udhëhequr qe katër vjet nga Muharrem Sfarqa i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ai është duke kërkuar edhe një mandat të dytë.

Për Sfarqën ky ka qenë mandati i tij i parë, pas zgjedhjeve të fituara në zgjedhjet lokale në vitin 2013.

Ndërsa në këto zgjedhje rival ka pesë kandidatë, Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhavit Zariqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Amir Rexhepi nga Alenaca Kosova e Re (AKR) dhe Besnik Berisha nga Nisma për Kosovën.

Muharrem Sfarqa tash e katër vite, nuk ka arritur që t’i përfundojë të gjitha premtimet. Sfarqa gjatë fushatës së tij zgjedhore në vitin 2013 kishte premtuar se në mandatin e tij katër vjecar do ta bëjë hapjen e 3 mijë vendeve të reja të punës.

Mirëpo këtë premtim i pari i Ferizajt nuk ka mundur ta përmbush. Sipas një raporti të publikur nga “Instituti GAP”, Sfarqa ka arritur që të punësoj vetëm 300 punëtor, shkruan Insajderi.

Por një donacion i përfituar nga Bashkimi Evropian (BE), i ka mundësuar Sfarqës që ta realizoj komplet premtimin e tij për përpunimin e drurit.

Në donacionin e përfituar në vlerë prej 600 mijë euro, Komuna e Ferizajt në qendrën ku janë të fokusuara kompanitë përpunuese të drurit, përkatësisht në fshatin Greme ka arritur ta instaloj rrjetin e energjisë elektrike, kanalizimin dhe ujësjellësin.

Ndërsa premtimi i tij për ndërtimin e spitalit të qytetit i është mbetur në gjysmë. Ky spital parashihet të ketë repartin e kirurgjisë, gjinekologjisë, pediatrisë, sëmundjeve të brendshme dhe atë të diagnostikues.

Po ashtu Komuna e Ferizajt nuk ka arritur të krijoj asnjë zonë ekonomike në këto tre-vitet e fundit. Në fshatin Babush është vlerësuar që 1 milion euro duhet investuar për t’u krijuar kushte investitorëve potencial por që është ndërprerë me arsyetim e kthimit në pronë komunale për zhvillim ekonomik.

Përndryshe Komuna nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të krijuar zona apo parqe industriale. Përveç këtyre premtimeve të pambajtura, Komuna e Ferizajt përballet edhe me shumë probleme.

Ndër problemet kyçe në këtë komunë  janë, mungesa e rrjetit të ujësjellësit në fshatra, mungesa e shërbimeve shëndetësore në fshatra dhe mungesa e sinjalistikës dhe pengesave afër hekurudhës. Komuna e Ferizajt është njëra nder komunat që ka përfituar me se shumti nga fondet zvicerane për zgjidhjen e problemit të ujit të pijes.

Por përkundër kësaj, shumë fshatra të kësaj komune janë pa rrjet të ujësjellësit, siç janë fshatrat: Greme, Manastric, Komogllavë, Zllatar, Mirosalë, Bibaj, Kosinë, Prelez i Muhaxhirëve dhe Mohoc.

Ndërsa një nga cështjet elementare të qytetarëve është edhe shërbimi shëndetësor.

Në disa fshatra të Ferizajt, veçmas në Nerodime dhe në fshatin Koshare ka mungesë të shtëpive të shëndetit. Banoret e këtyre fshatrave për njëshërbim sa do elementar shëndetësor duhet të udhëtojnë në qytet. Ndërsa problemi tjetër i Ferizjait që mori edhe jetë njerëzish është mungesa e sinjalistikës dhe pengesave afër hekurudhës.

Gjatë vitit 2017 kanë ndodhur tri aksidente, dy prej tyre me fatalitet, ne afërsi të hekurudhës që përshkon qendrën e qytetit. Për mungesën e sinjalistikës, komuna e hedh përgjegjësinë tek ndërmarrja publike për menaxhimin e hekurudhave “Infrakos”, ndërsa këta te fundit përgjegjës e bëjnë komunën për mos vendosjen e shenjave dhe pengesave të tilla.

Në fushatën zgjedhore të nëntorit 2013, kryetari aktual pati premtuar marrjen e masave që parandalojnë aksidentet në afërsi të hekurudhës, por përgjatë këtyre katër viteve ky problem nuk është evituar.

                                                                                              Muharrem Sfarqa LDK
Muharrem Sfarqa është duke kërkuar që të jetë edhe për një mandat në krye të Ferizajt. Sfarqa ka qenë njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe anëtar kryesie pas luftës. Po ashtu ka qenë edhe pjesë e strukturës së LDK-së në Gjermani. Sfarqa ka qenë edhe arsimtar i gjuhës shqipe në fshatin Rahovicë. Ka mbaruar Fakultetin Filologjikë, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

                                                                                                 Faton Topalli LVV
Faton Topalli i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje është duke kërkuar për herë të tretë votën e qytetarëve  të Ferizajt. Topalli është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje që nga legjislatura e katërt e kuvendit të Kosovës. Ka qenë i ndjekur nga pushteti komunist, pas pjesëmarrjes në demonstratat e vitit 1981, ku u detyrua të largohej edhe nga vendi. Ka qenë ligjerues i jashtëm në Fakultetin e shkencave sociale në Cyrih që nga viti 2007 gjer më 2010.

                                                                                                      Agim Aliu PDK
Agim Aliu i cili vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i cili për dy mandate rresht ka qenë në krye të komunës së Ferizajt, në zgjedhjet e 22 tetorit është duke kërkuar votën e qytetarëve që të rikthehet përsëri në pozitën e të parit të komunës. Është njëri ndër themeluesit e Degës së PDK-së,ka qenë Kryetar i Degës së Rinisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, 2001-2003. Gjatë luftës ka qenë i rreshtuar në radhët e UÇK-së. Ka mbaruar studimet në Fakultetin Juridik të Prishtinës në Prishtinë. Po ashtu ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

                                                                                             Xhavit Zariqi AAK
Xhavit Zariqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në zgjedhjet e 22 tetorit është duke kërkuar votën e qytetarëve të Ferizajit. Që nga janari i i vitit 2013 antar i AAK-së, nënkryetar i deges se AAK-së në Ferizaj si dhe Kandidat për Kryetar Komune të Ferizajt nga AAK-ja ne zgjedhjet lokale 2013. Ne fillim te vitit 2014 zgjidhet kryetar i deges se AAK-se ne Ferizaj. Aktualisht eshte nenkryetar i Komunes se Ferizajt. Më parë a qenë nënkryetar dege, sekretar si dhe anëtar i Kryesisë që nga themelimi i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK).

                                                                                            Amir Rexhepi AKR
Amir Rexhepi i cili vjen nga Aleanca Kosova e Re, është duke garuar për herë të parë për të qeverisur me komunën e Ferizajt. Rexhepi ka studiuar në Universitetin e Prishtinës. Rexhepi është kryetar i AKR-së në Komunën e Ferizajt.

                                                                         Besnik Berisha Nisma për Kosovën
Besnik Berisha i cili vjen nga Nisma për Kosovën është duke garuar për postin e Kryetarit të Ferizajt. Berisha më herët ka qenë nënkryetari i Kuvendit Qendror, njëherësh anëtari i kryesisë së AKR-së në Ferizaj.