Pa përkrahjen e PSD-së dhe LDK-së, Vetëvendosja mobilizohet për protesta

Pa përkrahjen e PSD-së dhe LDK-së, Vetëvendosja mobilizohet për protesta

Diskutimi i mundshëm i Thaçit me Vuçiqin për shkëmbimin e territoreve dhe pamundësia e votimit të rezolutës në Kuvend, ka bërë që Vetëvendosja të nis mobilizimin për organizimin e protestave.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi ditë më parë edhe deputeti i VV-së, Rexhep Selimi.

Ai kishte bërë të ditur se për datën e protestave, janë në pritje të përgjgjeve nga partitë e tjera opozitare.

“Kish me qenë shumë datë e mirë nëse vazhdojnë bisedimet dhe dakordohemi me faktorët tjerë. Ne nuk e vendosim datën para se të diskutojmë me faktorët tjerë, por për mua kish me qenë datë e mirë. Nuk është moment që të them se a do të bëjmë protesta pa përkrahjen e tyre, mirëpo ne u kemi bërë ftesë dhe po presim përgjigje. Ne i respektojmë mendimin e tyre përdersia po bëjmë ftesë”, kishte thënë Selimi.

Por në dy partitë e tjera opozitare nuk po ka gatishmëri për ta përkrahur Vetëvendosjen. PSD-ja dhe LDK-ja deri më tani kanë qenë të ndara sa i përket mundësisë së organizimit të protestave.

E duket se në pafundësi nuk do të pret partia e Albin Kurtit, që ditëve të fundit ka nisur një mobilizim të madh me synimin që ta ndalin Thaçin.

Një gjë e tillë vërehet nga takimet e shumta që deputetë e zyrtarë të kësaj partie po zhvillojnë me shumë qytetarë në nivel vendi, shkruan Insajderi.

Vetëm gjatë ditës së djeshme në faqen zyrtare të Vetëvendosjes në facebook janë dhënë disa njoftime, për takimet që i kanë pasur krerët e kësaj partie me qytetarë.

Albin Kurti mbrëmë ka diskutuar me banorët e fshatit Lloshkobare të Ferizajt. Në njoftimin e kësaj partie thuhet se vetëm populli mund ta ndalë presidentin.

Image may contain: 9 people

“Në Lloshkobare të Ferizajt, aktivistë, simpatizantë e qytetarë pranuan thirrjen tonë për tubim mobilizues. Asnjëri në takim nuk kishte dyshime që rruga e Hashim Thaçit nuk është më veçse aventurë e tij personale, por është edhe rrugë drejt humnerës së shtetit tonë. Bisedimet të cilat për interesa personale, ai, pa asnjë të drejtë dhe legjitimitet, e negocion të ardhmen e qytetarëve tonë duhet të ndalen. Atë mund ta ndal vetëm populli i Kosovës!”, thuhet në postimin në facebook.

Në Mitrovicë mobilizimin e VV-së e ka vazhduar Xhelal Sveqla, kurse në Drenas, Rexhep Selimi. Kurse në fshatin Durjakë ka qëndruar shefi i deputetëve të kësaj partie, Glauk Konjufca,.

“Në fshatrat Karaqevë të komunës së Dardanës, Dujakë të Gjakovës, Tërstenik të Drenasit e lagjen Iliridë të Mitrovicës me banorët e këtyre vendeve u diskutua për situatën politike në vend, me theks rrezikun që po i kanoset integritetit shtetëror nga aventurat personale të Presidentit të Thaçi. Aktivistët, deputetët e anëtarët e kryesisë së Lëvizjes janë anembanë Kosovës përditë duke folur me qytetarët për situatën në të cilën është Kosova prej së cilës mund ta shpëtohet duke u angazhuar së bashku”, ka njoftuar VV-ja.

Image may contain: 1 person

Deputetët e partisë së Albin Kurtit takimet me qytetarët i kanë vazhduar edhe në qytetin e Besianës dhe në Lipjan.

Edhe në këto dy komuna u tha se protesta dhe demonstrate mbeten mënyrat e vetme të veprimit për situatën aktuale.

“Së bashku me qytetarët anë e kënd Kosovës po mbahen diskutime për aventurat e rrezikshme të presidentit Thaçi që kokë në vete, pa autorizim e pa legjitimitet po flet në emër të Republikës. Në shërbim të këtij presidenti mazhoranca ka uzurpuar Kuvendin duke moslejuar mbajtjen e seancës së thirrur nga opozita për të ndaluar pazaret e tij me Serbinë. Përballë kësaj situate, protestat dhe demonstratat, përveçse të nevojshme, janë bërë edhe të domosdoshme”, thuhet në një postim të VV-së në facebook.

Image may contain: 2 people, crowd and indoor

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka bërë të ditur ndonjë datë se kur mund të thërrasin protesta, por ata janë zotuar se nuk do t’i presin deri në pafundësi partitë e tjera opozitare.

Gjatë muajit shtator është paraparë një tjetër takim ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Vuçiqit. /Insajderi.com