OVL të UÇK-së kërkojnë lehtësime nga QKUK në mungesë të ligjit

OVL të UÇK-së kërkojnë lehtësime nga QKUK në mungesë të ligjit

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Dr. Curr Gjocaj në prezencë edhe të zëvendësministrit të shëndetësisë dr. Rrustem Musa kanë pritur në takim Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së.

Në takim me kryetarët e Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të UÇK-së, u diskutuan mundësitë që brenda legjislacionit në fuqi, udhëzimeve administrative dhe rregulloreve të brendshme të ofrohen lehtësira në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për këto kategori.

Drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, tha se meqë ende nuk janë të gatshme të gjitha udhëzimet administrative nga Ministria e Shëndetësisë e që burojnë nga Ligji për Shëndetësi dhe Ligji për kategoritë e dala nga lufta, atëherë do të mundohen që përmes një marrëveshje apo memorandumi me Shoqatat e luftës të krijohen lehtësira në ofrimin  shërbimeve shëndetësore.

“Më pëlqen ideja që të mundësojmë shërbime sa më të mira shëndetësore  për këto kategori që kanë kontribuar shumë për Kosovën”, ka thënë Gjocaj.

Gjocaj tha se do të formohet një komision i profesionistëve pjesë e së cilës dop të jenë edhe Shoqatat e luftës që të bien dakord për ofrimin e shërbimeve.

Rrustem Musa, zëvendësministër i shëndetësisë tha se duhet të bëhet kujdes në operacione dhe pritje të gjata të kësaj kategorie, pasi duhet të trajtohen me kushte sa më të mira.

“ Duhet të kemi kujdes posaçërisht kur bëhet fjalë për pritje të gjatë,  pritje për operacione, nëse i referohemi një demokracie të zhvilluar,  edhe në SHBA kanë përparësi veteranët dhe invalidët e punës”, ka thënë Musa.

Xhavit Jashari, Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, theksoi se kërkesat e tyre janë legjitime dhe se duhet të nxirren udhëzimet  administrative që burojnë nga Ligji i vitit 2016.

“Është ligj i veçantë që trajtohen familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët.  Është e nevojshme që derisa të nxirren aktet nënligjore të kemi marrëveshje ose memorandum mirëkuptimi që kategoritë e dala nga lufta mos të presin gjatë”, tha Jashari./Insajderi.com