Osmani thotë se nuk flet me Mustafën prej momentit që refuzoi ta votonte për kryeministër

Osmani thotë se nuk flet me Mustafën prej momentit që refuzoi ta votonte për kryeministër

Deputetja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk mbajnë kontakte me kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

“Nuk kemi kontakte me Mustafën, takimi ka qenë para se të votohet Qeveria, kam shkuar në zyrën e tij dhe e kam njoftuar se nuk do ta votoja, nuk do ta votoja askënd nga LDK koalicioni me PDK-në është në kundërshtim me të gjitha parimet”, ka thënë Osmani.

“Ai ka pasur argumentet e tij, unë të miat”, ka thënë Osmani në “Zona B”.

Ajo ka thënë se LDK është dëmtuar deri në atë masë sa e sheh të vështirë me e bind elektoratin që të ia besojnë prapë votën.

“Sepse premtimet kanë shkuar deri në atë masë që është thënë “kurrë me PDK-në”, janë bërë edhe akuza të tmerrshme dhe si brenda natës ndryshoi gjithçka në partnerin e koalicionit”, ka theksuar Osmani.

Ajo më tej ka përmendur edhe vrasjet e pasluftës së anëtarëve të LDK-së.

“Ishte me interes të lexohej letrat e familjarëve të zyrtarëve të LDK-së që janë vrarë që kërkojnë të mos hapet kjo temë vetëm gjatë zgjedhjeve”.

“Insistimi I elektoratit ka qenë të hetohej gjithçka deri në vitin 2007”.

“Nëse në atë kohë kur janë shtruar këto tema, nga çështja e Gjykatës Speciale, në atë kohë thirret grupi parlamentar dhe tërhiqet vërejtja që të mos flitet për këto çështje”.

“Nëse LDK-ja nuk merr asnjë veprim konkret që së paku tu jep shpresë familjeve që të paktën po ndërmerret diçka”, ka shtuar Osmani.