Osmani: PDK po e mban koalicionin në presion

Osmani: PDK po e mban koalicionin në presion

LDK-ja nuk ka nevojë të mbajë barrën e projekteve të gabuara të Hashim Thaçit, andaj, duhet që sot ta prish koalicionin me PDK-në, parti kjo që asnjëherë nuk e ka mbajtur premtimin, kështu ka thënë deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani po thotë se koalicioni me PDK-në ka qenë hap i gabuar, andaj po kërkon që ky koalicion të përfundojë sa më parë.

“LDK-ja është ajo që duhet ta prish koalicionin sepse nuk ka nevojë që ta mbajë barrën e projekteve të gabuara të Hashim Thaçit. Unë mendoj që duhet ta prish që sot dhe është dashur edhe më herët, pra jemi vonë”, ka thënë ajo për EO.

Osmani po thotë se PDK-ja po e mban LDK-në me shantazhe dhe kërcënime duke iniciuar mocione të pasinqerta.

“Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem kundër bashkimit të partisë sime me PDK-në dhe që nga momenti i parë dhe akoma vazhdoj të mendoj që LDK-ja është ajo që duhet ta prish koalicionin me PDK-në. Për shkak se është në koalicion me një partner që nuk e ka mbajt fjalën dhe me një partner që vazhdimisht e mban në presion LDK-në me kërcënime të ndryshme dhe me iniciativa të pasinqerta”, ka thënë ajo.

Osmani mendon se edhe nëse nuk votohet Demarkacioni, për shkuarjen apo jo në zgjedhje duhet të vendosin 61 deputetë.

Ditëve të fundit janë shtuar zëra edhe nga radhët e PDK-së që dëshirojnë të prishin koalicionin me LDK-në dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme./Insajderi.com