“Ose ka ndodhur një skandal i madh” – ose Haradinaj ka prapavijë tjetër

“Ose ka ndodhur një skandal i madh” – ose Haradinaj ka prapavijë tjetër

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Edukim, Dukagjin Popovci ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar Bordin e Agjencisë Kosovare për Akrditim e bërë me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe vendim të Ministrisë së Arsimit.

Sipas Popovcit, tani për tani, për opinionin publik mbetet e paqartë pse janë shkarkuar përnjëherë të gjithë anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit, në mesin e të cilëve ka edhe ekspertë të huaj që vlerësohen nga komuniteti akademik ndërkombëtar.

“Ose do të ketë ndodhur ndonjë skandal i madh, që opinioni nuk e di, ose ka ndonjë prapavijë krejt tjetër. Ligji parasheh që në rast të zëvendësimit të më shumë se 1/3 të anëtarëve të Bordit gjatë një viti, me këtë çështje duhet të merret Kuvendi, dhe kjo flet sa serioze është kjo punë”, ka shkruar Popovci në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, Popovci ka shkruar se në punën e Agjencisë së Akreditimit ka pasur shumë parregullsi që, kryesisht, ndërlidhen me shkeljen e kritereve me rastin e akreditimit, duke treguar tolerancë shumë më të madhe për institucionet publike sesa për ato private, por që këto parregullsi datojnë nga dita e themelimit të Agjencisë dhe, kryesisht, kanë ndodhur si rezultat i presionit të politikës mbi Agjencinë.

“Për shembull, Agjencia ka qenë e detyruar nga politika që t’i akreditojë si universitete gjashtë institucionet publike të arsimit të lartë jashtë Prishtinës, edhe pse asnjëri prej tyre nuk i përmbush kushtet ligjore për të qenë universitet Në një rast, ndërhyrja politike ka shkuar aq larg sa vendimet për akreditim janë marrë në mbledhje të Qeverisë, që është krejtësisht në kundërshtim me Ligjin”, ka shkruar Popovci.

Pavarësisht parregullsive të shumta, sipas Popovcit,  kohëve të fundit Agjencia ka filluar të demonstrojë pak më shumë vendosmëri për respektimin e kritereve të cilësisë. Ka dhënë një shembull.

“Për shembull, nuk ka lejuar që personat e njëjtë të jenë bartës të programeve studimore në 3-4 institucione, siç ka ndodhur më herët; ka filluar verifikimin e punësimeve fiktive të stafit akademik nga Maqedonia dhe Shqipëria, të cilët shërbejnë sa për t’u plotësuar kushtet formale të akreditimit, ndërsa, në fakt, jetojnë dhe punojnë jashtë Kosovës. Dhe, shkarkimi ndodhë pikërisht në momentin kur ata kanë filluar të veprojnë. Hapi i tillë, pashmangshëm, shkakton dilema që nuk mund të hiqen me arsyetime të përgjithësuara”, ka përfunduar Popovci.

Pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj, Ministria e Arsimit shkarkoi sot të gjithë anëtarët e Bordit të Këshillit Shtetëror në Agjencinë Kosovare të Akreditimit. Në njoftimin e MASHT-it, u tha se shkarkimi i anëtarëve të Bordit të AKK-së u bë për shkak të disa “parregullësive”.

Kryeministri na ofendoi neve dhe dy profesorët e shquar ndërkombëtar

E për këto parregullësi të pretenduara nga MASHT-i, ka reaguar ish-anëtari i Bordit të AKK-së, Lul Raka. Ai, përmes një letre publike drejtuar kryeministrit Haradinaj, i ka sqaruar atij për disa nga ato “parregullësitë serioze” për të cilat fliste MASHT-i.

Anëtari i shkarkuar i bordit të AKK – kryeministrit: Ju rrëfej “parregullësitë serioze”

Më pas kishte reaguar edhe Blerim Rexha që ka thënë se është ndier i ofenduar dhe i fyer nga kryeministri Ramush Haradinaj. Drejtori i shkarkuar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë Kosovare të Akreditimit së bashku me tetë anëtarë të bordit, ka thënë se mënyra se si kryeministri mori vendimin për largimin e tyre nga puna ka qenë joetike./Insajderi.com

Agjencia e Akreditimit akuzon kryeministrin se po ndërhynë në punën e tyre