OSBE kritikon RTK-në për artikullin lidhur me agjenten ruse

OSBE kritikon RTK-në për artikullin lidhur me agjenten ruse

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka reaguar pas publikimit të një artikulli në portalin e RTK-së, lidhur me një grua që në raport cilësohet si agjente ruse e nivelit të lartë që vepron në Kosovë.

Përmes një komunikate për media të dërguar nga OSBE, thuhet se Braathu ka ripërsëritur sot nevojën që mediat në Kosovë të përkrahë gazetarinë etike, të mbajë standarde profesionale dhe të përmbahet nga publikimi i materialeve që mund të shkaktojnë tension ose që padrejtësisht mund të minojnë integritetin profesional të njerëzve.

Në komunikatë thuhet se OSBE fton gazetarët e redaktorët që të mbështeten në informacion kredibil dhe t’iu jepet mundësia të gjitha palëve të japin qëndrimin e tyre.

“Gazetat, mediat online, radiot, televizion dhe veçanërisht transmetuesi publik, kanë obligim që të dëgjojnë dhe paraqesin të gjitha anët e stories,” ka thënë Braathu.

“Gazetaria profesionale është gurthemel për demokracinë e stabilitetin në çdo shoqëri” duke shtuar se kjo është e rëndësishme sidomos në klimën politike të krijuar pas zhvillimeve të fundit.

Portali i televizionit publik, ka publikuar një artikull që i dedikohet komplet Dragan Trifkoviqit, e cila sipas tyre, dyshohet të jetë një agjente ruse e nivelit të lartë, që vepron në Kosovë.

RTKlive.com ka publikuar këtë artikull duke u thirrur në dokumente të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, që thuhet se kanë të dhëna që janë bërë publike në fund të vitit 2016, për këtë agjente.

Por portali i televizionit publik nuk e ka bërë të ditur se ku janë publikuar këto të dhëna. Megjithatë ka shkruar se  Trifkoviq është drejtuese e një rrjeti të bashkëpunëtorëve të shërbimeve të inteligjencës së Rusisë.

“DT është drejtore e Qendrës për Studime Gjeostrategjike dhe njëkohësisht vepron edhe në kuadër të Qendrës Euroaziatike për Hulumtim dhe Zhvillim. Njëkohësisht, ajo ka qenë edhe një nga figurat e larta të Partisë Demokratike të Serbisë (Demokratska Stranka Srbije), e themeluar nga Vojisllav Koshtunica”, shkruan RTKlive.