OSBE-ja organizon zgjedhjet presidenciale serbe në Kosovë

OSBE-ja organizon zgjedhjet presidenciale serbe në Kosovë

Misioni i OSBE-së ka konfirmuar se është arritur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për t’i organizuar zgjedhjet presidenciale serbe në Kosovë.

Misioni i OSBE-së në Kosovë konfirmoi se të dielen, 2 prill 2017, do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave, duke hapur katër qendra grumbullimi dhe degë përkatëse nëpër Kosovë me prani të stafit të OSBE-së, në kontekst të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë.

“OSBE ka bërë aranzhime për shpërndarje të duhur gjeografike të këtyre qendrave dhe degëve, gjë që siguron mbulim të duhur të zonave ku gjenden personat me të drejtë vote”, thuhet në njoftimin e Misionit.

Ky angazhim i OSBE-së bazohet në modelet e mëparshme të viteve 2012, 2014 dhe 2016.

“Për të ndërmarrë këtë operacion, OSBE ka marrë një kërkesë nga Beogradi dhe miratimin e Qeverisë së Kosovës.

OSBE do të jetë bartëse e operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm dhe integritetit të procesit. Procedurat do të jenë të njëjta me ato të viteve të kaluara”, thuhet në këtë njoftim.

Me t’u përmbyllur operacioni, OSBE thotë se do t’i bartë votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranjë dhe do t’ia dorëzojë ato Komisionit Zgjedhor Republikan (RIK) për procedura të mëtutjeshme./Insajderi.com