OSBE-ja organizon turne multietnik të tenisit në Kosovë

Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Klubin e Tenisit Prishtina dhe Klubin e Tenisit Gračanica, nga sot do të organizojnë një turne multietnik gjashtë-ditor të tenisit.

OSBE-ja organizon turne multietnik të tenisit në Kosovë

Rreth 50 pjesëmarrës nga mosha 8 deri në 18 vjeç nga komunitetet shqiptar, serb, goran dhe turk do të marrin pjesë në turne.

Gjatë pesë ditëve të para, pjesëmarrësit do të trajnohen nën mbikëqyrjen e trajnerëve të akredituar, kurse me 10 shtator, ditën e fundit të ngjarjes, do të garojnë në dy grupe, nga 8 deri 14 vjeç, dhe nga 14 deri 18 vjeç, bën të ditur OSBE-ja.

Pjesëmarrësit do të marrin certifikata, kurse vendi i parë dhe i dytë i të dy grupeve do të shpërblehen me medalje.

“Qëllimi i këtij turneu është të rrisë pjesëmarrjen e fëmijëve në nevojë në sport, dhe ndërveprimin mes komuniteteve të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Turneu është i hapur për publikun. Fjalimet hyrëse do t’i mbajnë Paivi Nikander, zëvendës-shefe e Misionit të OSBE-së në Kosovë, dhe Arben Islami, trajner./Insajderi.com