Organizatorët e koncertit të Dua Lipës takohen me policinë

Organizatorët e koncertit të Dua Lipës takohen me policinë

Masa të mëdha të sigurisë janë vendosur për koncertin e artistes kosovare Dua Lipa më 9 gusht, njoftojnë organizatorët e koncertit.

Sipas kompanisë organizuese të koncertit, Republika, e cila është nën menaxhim të babit të këngëtares, Dukagjin Lipa, rreth 150 njësi sigurimi të kompanisë “Besa Security” do jenë prezent në vendin ku do mbahet koncerti.

“Nga ana tjetër pas takimit të mbajtur sot me Policinë e Kosovës, një kontribut shumë të madh në aspektin e sigurisë do të jep Departamenti i Operacioneve i Policisë së Kosovës të cilët pas takimit të sotëm konfirmuan prezencën e tyre në numër shumë të madh në të gjitha hapësirat e Parkut të Gërmisë”, thuhet në njoftimin e kompanisë “Republika”.

Të gjithë ata që duan të jenë pjesë e koncertit dhe janë nën moshën 16 vjeç, obligohen të kenë përcjellje të prindërve ose një personi në moshë madhore.

Pjesëmarrësve nuk do t’u lejohet që me vete të kenë pije/ushqim apo çfarë do objekti i cili do të mund të përbënte rrezik për sigurinë e pjesëmarrësve, ndërsa me kërkesë të policisë së Kosovës veturat nuk do të kenë qasje atë ditë në parkun e Gërmisë.

Ata po ashtu njoftuan se vetëm në ditët e para janë shitur afro 40% e biletave gjë që ka kaluar pritshmërinë e organizatorëve. /Insajderi.com