Organizatat kulturore në Prizren kundër “lëmoshave” të Komunës

Organizatat kulturore në Prizren kundër “lëmoshave” të Komunës

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren (RROK) ka lëshuar një reagim kundër vendimit të Komunës për ndarjen e granteve ndaj organizatave kulturore të Prizrenit.

Madje, ky rrjet i organizatave kulturore i ka quajtur “lëmosha” grantet që Komuna e Prizrenit ka ndarë për ngjarjet e kulturës.

“Refuzojmë lëmoshat e Komunës për ngjarjet kulturore”, thuhet në fillim të komunikatës së lëashuar nga Rrjeti i Organizatave Kulturore të Prizrenit.

Komuna e Prizrenit ka publikuar sot listën e granteve për organizatat dhe ngjarjet kulturore të Prizrenit për vitin 2017, raporton Insajderi.

Por, sipas RROK, “shuma totale e këtyre granteve nuk është aq sa gjysma e mjeteve që komuna shpenzon për blerjen e veturave të reja, ndërsa ngjarjet kulturore çdo vit kontribojnë miliona euro në ekonominë e qytetit.”

“Përveç shumave tejet të vogla për disa, një pjesë e organizatave dhe ngjarjeve kulturore as nuk janë në listën e granteve të komunës për sivjet. Për këtë arsye, ne organizatat e poshtë nënshkruara (anëtare të Rrjetit të Organizatave të Kulturës në Prizren) e refuzojmë këtë formë të trajtimit nga ana e komunës”, njofton RROK.

RROK ka paralajmëruar se nëse Komuna nuk e Prizrenit nuk rishikon vendimin për ndarjen e granteve ndaj organizatave, atëherë ata do të rishikojnë mundësinë e anulimit të edicioneve të sivjetme të ngjarjeve kulturore.

“Nëse Komuna e Prizrenit përgjatë muajit Prill nuk e rishqyrton formën dhe nivelin e përkrahjes për ngjarjet kulturore të Prizrenit, ne do të rimendojmë pozicionin tonë në raport me organizimet tona, duke mos e përjashtuar as mundësinë e anulimit të edicioneve të sivjetme”, thuhet në komunikatën e RROK.

Në mesin e organizatave që bëjnë pjesë në Rrjetin e Organizatave Kulturore të Prizrenit janë edhe festivali i filmit dokumentar Dokufest dhe ai i muzikës Ngom Fest. /Insajderi.com