Organizata e Gazetarëve në Evropë kërkon hetim të shpejt për sulmin ndaj Ollurit

Organizata “European Federation of Journalists” e cila është organizata më e madhe që përfaqëson gazetarët e Evropës, ka reaguar për sulmin e djeshëm fizik ndaj drejtorit të Insajderit, Parim Ollurit.

Përmes një komunikate kjo organizatë ka thënë se i bashkohet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për sulmin fizik ndaj gazetarit hulumtues të gazetës Insajderi.

“Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) i bashkohet grupit të saj, Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës (AJK) në dënimin e sulmit fizik kundër gazetarit hulumtues Parim Olluri, në Prishtinë më 16 gusht 2017. Parim Olluri, i cili është gjithashtu drejtor ekzekutiv i portalit Insajderi.com, u sulmua nga tre burra të panjohur gjersa po shkonte në shtëpi me partneren e tij, rreth orës 10 gjatë natës”.

“Sulmi ndodhi para banesës së tij në rrugën Bajram Kelmendi, në Prishtinë. Olluri e rrahën duke i shkaktuar lëndime të lehta. Partnerja e tij nuk u lëndua, mirëpo humbi vetëdijen si rezultat i sulmit. Të dy ishin dërguar në spital për kujdes mjekësor”, thuhet në komunikatën nga EFJ.

EFJ më tutje u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të bëjnë një hetim të shpejtë në sulmin ndaj gazetarit dhe të partnerit të tij. Policia pohoi se rasti është aktualisht nën hetim./Insajderi.com