“Ora shtesë” nuk respektohet në shumë qendra votimi

“Ora shtesë” nuk respektohet në shumë qendra votimi

Në disa qendra votimi në vend nuk është zbatuar vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zgjatur kohën e mbylljes së qendrave të votimit deri në orën 20:00.

Në Shkodër, në Fier, në Gjirokastër dhe në Dibër ka disa qendra që kanë nisur dorëzimin e kutive.

“Kanë pasur 12 orë kohë për të votuar”, thonë komisionerët në Fier, raporton Top Channel.

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të shtyrë deri në orën 20:00 orarin e votimit, nuk ka mbërritur në Dibër.

Në pjesën më të madhe, qendrat e votimit në këtë qark kanë nisur të dorëzojnë në KZAZ kutitë me fletët e votimit.

Situatë kaotike raportohet edhe në Berat, ku vendimi i KQZ-së ka mbërritur në KZAZ pak minuta para orës 19:00 dhe në Urën Vajgurore.

Kjo situatë ka detyruar KQZ-së që të kujtojë përmes zëdhënëses orarin e ri të mbylljes së qendrave të votimit.

“KQZ u kërkon të gjithë komisionerëve që të qëndrojnë në detyrë dhe të vazhdojnë detyrën. Arsyet se nuk na është informuar me shkrim, nuk vlejnë. Të gjitha KZAZ-të kanë shpërndarë vendimin e KQZ-së. KZAZ kanë njoftuar që të respektohet vendimit që qendrat e votimit të jenë të hapura. Çdo komisioner që largohet nga detyra, para orës 20:00 është duke shpërdoruar detyrën”, tha zëdhënësja e KQZ-së.