Opozita i reagon Apostolovës për diçka që ajo nuk e ka thënë

Opozita i reagon Apostolovës për diçka që ajo nuk e ka thënë

Tri partitë opozitare, Nisma për Kosovën e  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që funksionojnë si koalicion dhe partia Vetëvendosje, kanë reaguar ndaj një deklarate të  përfaqësueses së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova, për të cilën gabimisht është thënë të ketë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta rishikojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

NISMA dhe AAK i reaguan Apostolovës bazuar në një deklaratë që Zyra e BE-së në Kosovë e quajti të keqkuptuar dhe të përkthyer keq gjatë fjalimit të saj të mbajtur në tryezën e Grupit për Studime Ligjore dhe Politike.

Koalicioni opozitar  tha se deklarata e Apostolovës është ndërhyrje flagrante në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe si e tillë është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian, vlera të cilat ajo duhet t’i promovojë dhe t’i mbrojë në Kosovë.

Por në fjalimin e saj, Apostolova nuk përmendë askund “Gjykatën Kushtetuese” e as fjalën “rishikim”.

Krejt çka përmendet në fjalimin e Apostolovës për Asociacionin, është se ai duhet të themelohet sa më shpejt.

“Në kuadër të kornizës së dialogut BE-ja pret normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në mes të palëve dhe që Asociacioni/Bashkësia të themelohet sa më shpejtë që është e mundur. Progresi i arritur në dialog është parakusht për të dy palët për të arritur progres në rrugën e tyre drejt BE-së”, thuhet në fjalimin e Apostolovës, të dërguar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Megjithatë ndaj kësaj reagoj edhe partia Vetëvendosje. Deputetja e  kësaj partie Albulena Haxhiu ka thënë për lajmi.net se janë ndërkombëtarët ata që vazhdimisht kanë kërkuar që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të mos komentohen, ndërsa tani kërkojnë që të bëhet rishqyrtimi i një vendimi.

“Ne gjithnjë kemi kundërshtuar ndikimet indirekte mbi Gjykatën Kushtetuese, si nga vendoret poashtu edhe ndërkombëtaret. Deklarimi i Apostoloves është ndërhyrje direkte në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Janë ndërkombëtaret ata që në vazhdimësi kanë thënë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen pra janë të obligueshme ndërsa sot flasin për rishqyrtim në të cilin thuhet se janë shkelur 23 nene të Kushtetutës dhe sipas kësaj ajo marrëveshje s’ka asnjë fuqi pra “Zajednica” ka vdekur”, ka deklaruar Haxhiu.

Madje, deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se një deklaratë e tillë do të ishte skandal në vendet demokratike.

Por sipas sqarimit të Zyrës së BE-së, Apostolova nuk ka bërë asnjë kërkesë të tillë. /Insajderi.com

Lexo edhe:

Kryeministri i paguximshëm që shtiret si “akademik i pafajshëm”

Kandidati për lektor pretendon se Zyra e Kryeministrit ia falsifikoi testin me shkrim

Kadriu kërkon të hetohen “zhvatësit e shtetit”, Kurti i thotë se ajo është njëra prej tyre