Opozita: Pas provokimeve të Serbisë, s’ka kuptim dialogu

Provokimet e njëpasnjëshme që Serbia po ia bëhen Kosovës – siç është vendosja e bombave në objektet qeveritare në veri, ndërtimi i murit te lumi Ibër, arretimi i Ramush Haradinajt me fletarrestim ndërkombëtar të Serbisë, tentimi për ardhjen e një treni provokues me mesazhe nacionaliste, tashmë ka bërë që vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi të duket jashtë çdo logjike.

Opozita: Pas provokimeve të Serbisë, s’ka kuptim dialogu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, e ka quajtura si momentin e fundit të ndërpritet dialogu, i cili sipas saj, ka minimizuar shtetësinë e Kosovës, ndërsa kanë favorizuar Serbinë në rrugëtimin e integrimeve evropiane.

“Dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë teksa prodhon vetëm koncesione të dëmshme për vendin, të cilat e kanë minimizuar shtetësinë e Kosovës, teksa e kanë favorizuar Serbinë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane”, ka thënë për Insajderin Donika Kasaj-Bujupi.

Ajo ka thënë se Kosovës i duhet dialog me parime dhe me kushte, duket shtuar se kjo qeverisje antikombëtare dhe e kriminalizuar nuk e ka as vullnetin, as guximin e as dijen për dialog të tillë.

“Ky pushtet që në secilin raund negociatash jep diçka nga shtetësia e Kosovës, është servil e i nënshtruar nga Serbia, e cila ka pretendime të qarta ndaj Republikës sonë, dhe arritjen e të cilave ne e ndalim veç duke e ndalur dialogun tani”, ka shtuar ajo.

Është momenti i fundit, sipas saj, t’ia japim kahjen e duhur Republikës së Kosovës.

Haxhi Shala – deputet i Nismës për Kosovën thotë se ky dialog nuk mund të ketë kuptim përderisa dje ka pasur mundësi të shkohet në një konflikt të armatosur.

“Edhe më herët kemi kërkuar që si parti dhe si opozitë të ndërpritet dialogun me Serbinë, sepse deri më sot kanë dëshmuar se asgjë të dobishme nuk është sjellë nga ky dialog me gjithë këto skandale, siç është muri, arrestimet , tentimi i treni, bizneset e zeza që janë veri. Të gjitha këto elementet çojnë se Kosova nuk duhet të vazhdojnë bisedimet me Serbinë”, ka thënë deputeti Shala për Gazetën Insajderi.

Dialogu duhet të ndërpritet një herë e përgjithmonë, sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj. Sipas tij, edhe ashtu, marrëveshjet që janë arritur me Serbinë po zbatohen në minimum.

“Po shihet që bisedimeve nuk ka pasur sukses. Prej të gjitha marrëveshjeve nuk di nëse është duke u zbatuar një ose dy. Derisa vazhdojnë  kështu, nuk do të ketë sukses. Ngritja e murit në veri dhe arrestimi i Haradinajt edhe treni, të gjitha janë provokime dhe nuk ka efekte që të ketë më bisedime. Njëherë e përgjithmonë me i ndërpre bisedimet”, ka thënë deputeti i AAK-së, Bali Muharremaj për Insajderin.

Kujtojmë se në muajin e fundit kanë ngjarë disa incidente në veri të vendit – ndritmi i murit ilegal për të cilën Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për rrënimin e tij; vënia e bombave në objektet e qeveritare në veri të Mitrovicës, arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë me urdhër arrest të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, dhe tentimi për futjen e trenit nga Serbia në Kosovë pa leje të Republikës së Kosovës./Insajderi.com

 

[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=WyQ7LzNR_q0″/]