Opozita mendon për strategji të reja të protestës

Opozita mendon për strategji të reja të protestës

Partitë opozitare janë duke shqyrtuar strategji të reja “të rezistencës” deri në rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, por tendat mund të mos jenë opsioni i tyre.

Tendat që u vendosën në sheshin Skënderbeu afër Kuvendit të Kosovës janë larguar dje nga Policia e Kosovës gjatë protestës që eskaloi në dhunë.

Zafir Berisha, deputet nga Nisma për Kosovën, ka thënë se pret që opozita të vijë me strategji të re të protestave.

“Pas zhvillimeve tepër dramatike që që kanë ndodhur në kuvend dhe jashtë tij, pritet strategji e re e rezistencës kundër kësaj qeverie më.  Ne nuk do të heqim dorë nga kërkesat tashmë legjitime se një qeveri që ka shkelë kushtetutën nuk do të mund të qeverisë me vendin”, ka thënë Berisha për Insajderin.

I pyetur nëse së shpejti do të bëhet rivendosja e tendave në shesh, Berisha ka thënë se për momentin ”nuk e di a do të vazhdojmë me tenda apo me ndonjë formë tjetër.”

Në anën tjetër, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, edhe pse thotë se kanë leje për vendosjen e tendave në shesh, nuk tregon nëse kjo gjë do të bëhet në ditët e ardhshme.

“Natyrisht qe kundershtimi eshte i domosdoshem pra betejat dhe protestat do te vazhdojne madje do te jene edhe me te fuqishme, mirepo gjate ketyre diteve ne do t’i bejme te ditura veprimet e detajuara te opozites”, ka thënë ajo.

Edhe deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,Time Kadrijaj, ka thënë se vendimi për rivendosjen e tendave nuk është marrë ende.

“Tash do të marrim vendim edhe do të vendosim se si do të jenë hapat e mëtejmë të opozitës, ndërkohë nuk kemi ndonjë qëndrim”, ka thënë ajo.

Tri partitë opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën – të martën vendosën dhjetëra tenda në sheshin afër Kuvendit të Kosovës.  Qëllimi i kësaj ishte që të tentohej pamundësimi i mbajtjes së seancës së premtes, ku Hashim Thaçi u zgjodh president i vendit./Insajderi.com