Opozita e ndarë rreth kundërshtimit të demarkacionit

Opozita e ndarë rreth kundërshtimit të demarkacionit

Disa ditë para se Qeveria e Kosovës ta dërgojë marrëveshjen e demarkacionit në Kuvend, partitë opozitare mbesin të bashkuara për të kundërshtar atë. Por, ato shfaqin dallime rreth mënyrës se si do ta bëjnë një gjë të tillë.

Zotimi i kryeministrit Isa Mustafa për të dërguar brenda disa ditëve të ardhshme marrëveshjen e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës pritet të rikthejë sërish gazin lotsjellës dhe dhunën në skenën politike të vendit.

Partitë opozitare të cilat në vazhdimësi kanë kundërshtuar demarkacionin, mbesin të vendosura për të penguar që kjo marrëveshje, që sipas tyre është e dëmshme për Kosovën, të ratifikohet në Kuvend.

Por, derisa opozita është e bashkuar në qëllimin e tyre përfundimtar që të mos lejojnë aprovimin e saj, ato kanë shfaqur dallim sa i përket mënyrave se si do ta bëjnë një gjë të tillë.

Lëvizja Vetëvendosje, që është partia më e madhe opozitare, nuk ka dashur që të specifikojë mënyrat e protestës së tyre në ditën kur demarkacioni do të dërgohet në Kuvend. Por, kjo parti nuk ka përjashtuar mundësinë që sërish të hedhë gaz lotsjellës gjatë kohës kur do të votohet.

Sipas Driton Çaushit, deputet i VV-së, marrëveshja e demarkacionit tashmë duhet të konsiderohet si e vdekur.

“Ne natyrisht që do të praktikojmë metodat të cilat e bëjnë më lehtë të mundshme pamundësimin e kësaj marrëveshje, e cila padrejtësisht po kthehet në Kuvend, pasi që demarkacioni ka vdekur me 1 shtatorin e vitit të kaluar. Nuk preferojmë asnjëherë që para kohe të flasim për veprimet tona konkrete”, ka thënë ai për Insajderin.

Më 1 shtator, kryeministri Mustafa ishte detyruar që të tërheqë nga rendi i ditës ratifikimin e marrëveshjes meqë nuk ka pasur vota të mjaftueshme.

Për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, nevojiten 80 vota, ndërsa koalicioni qeverisës përveç se nuk mund të llogarisë në votat e opozitës, ata kanë hasur në kundërshtimin edhe të disa prej deputetëve të tyre. Sa për të vështirësuar situatën, as partneri i tyre i koalicionit, Lista Serbe, tash e një kohë nuk është prezente në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Pas dështimit për të ratifikuar marrëveshjen në shtator, Qeveria e Kosovës themeloi një komision për matjen e territorit, i cili ka thënë se Kosova nuk humb territor me marrëveshjen e nënshkruar me Malin e Zi. Por, as kjo nuk ka bindur opozitës që të ndryshojë qëndrim.

Qëndrimin e opozitës nuk e ka ndryshuar as thirrjet e diplomatëve të fuqishëm, të cilët në vazhdimësi kanë kërkuar që kjo marrëveshje të ratifikohet, në mënyrë që Kosovës t’i hapet rruga për liberalizimin e vizave.

Në anën tjetër, dy partitë e tjera opozitare, AAK dhe NISMA, kanë përjashtuar mundësinë që gazi lotsjellës të përdorët si mjet për të kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit.

Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, ka bërë me dije kjo parti do të kundërshtojë marrëveshjen vetëm me votë.

“Ne do të kundërshtojmë me votë kundër sepse tash më është dëshmuar se kjo marrëveshje ashtu siç e ka nënshkruar Mustafa e rrezikon territorin e vendit tonë. Çështja e gazit për Nismën është e kaluar dhe ne nuk do të përdorim më gaz për të kundërshtuar këtë marrëveshje”, ka thënë Bajrami.

Kundërshtim i njëjtë do të bëhet edhe nga AAK.  “AAK, gazin ne këtë fazë nuk e sheh te arsyeshëm sepse e kemi sensibilizuar qytetaret, tani është koha qe te hedhet poshtë me votë kundër dhe me veprime tjera politike, dhe aktivizim të  qytetareve”, kishte thënë deputeti Pal Lekaj më parë./Insajderi.com