Opozita e ndarë bashkon qëndrimet rreth ftesës së kryeministrit për takim

Opozita e ndarë bashkon qëndrimet rreth ftesës së kryeministrit për takim

Partitë opozitare, ndonëse i kanë ndarë format e kundërshtimit ndaj Qeverisë, ato dinë të jenë bashkë në pika të caktuara. Ato janë shqafur unike në qëndrime sa i përket paralajmërimit të kryeministrit dhe kreut të Kuvendit për një takim në fillim të tetorit.

Frashër Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se këto  përpjekje janë  të panevojshme. Ai thotë se Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje.

“Konsiderojmë se demarkacioni është punë e kryer dhe kthimi i tij në pikën zero është zgjidhja. S’ka konsensus e kurrfarë luhatje qëndrimi në këtë”, tha Krasniqi për lajmi.net.

Nga ana tjetër, edhe kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Avni Arifi, thotë se nëse kryeministri Isa Mustafa dhe kreu i Kuvendit Kadri Veseli, bëjnë ftesë për takim me qëllim që të fillohet një proces i ri i demarkacionit, ky do të ishte një veprim i duhur për një zgjidhje permanente dhe të qëndrueshme.

Arifi thotë se, edhe ashtu është humb shumë kohë si rezultat i barrikadimit qeveritar rreth versionit, për siç e quan ai, të dëmshëm Meha.

Madje, AAK vlerëson se Demarkacioni është tërhequr nga Kuvendi më 1 shtator ngase, pozita nuk i ka votat për ta kaluar.

“Por nëse ftesa e tyre ka të bëjë me ndonjë përpjekje të tyre që në mënyrë dinake të procedojnë versionin ekzistues, atëherë përgjigjja e AAK dihet. Versioni Meha është i vdekur që nga momentin ku në mungesë të votave të deputetëve është tërhequr nga Kuvendi nga vetë Kryeministri Mustafa”, thotë ai.

Lidhur me këtë paralajmërim të kryeministrit Mustafa, NISMA për Kosovën ende nuk ka marrë vendim nëse do t’i përgjigjet pozitivisht asaj.

Sekretari i saj, Bilall Sherifi, thotë se varet nga përmbajtja e ftesës.

“Ende gjithçka është në nivel të paralajmërimit se do ta ftojnë opozitën në takim. Pra, ende ftesë nuk kemi. Përgjigjja ndaj ftesës do të varet nga përmbajtja e ftesës për takim”, thotë Sherifi.