Opozita deklaratat e Veselit nuk i merr seriozisht, pret respektimin e afatit për murin

Partitë opozitare presin nga Qeveria që ta respektojë afatin kohor që del nga rezoluta e Kuvendit të Kosovës për rrëzimin e murit ilegal i ndërtuar në veri. Deklaratat e djeshme të kreut të Kuvendit Kadri Veseli se nuk kanë rëndësi datat, por muri do të rrënohet, opozita nuk i merr seriozisht. Ato i shohin si politika ditore.

Opozita deklaratat e Veselit nuk i merr seriozisht, pret respektimin e afatit për murin

Opozita thotë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk mund t’i mbivendoset rezolutës që është nxjerrë në Kuvend më 29 dhjetor 2016, e cila kërkon nga Qeveria ta rrënojë murin në veri brenda muajit janar të këtij viti.

Veseli dje ka deklaruar se muri do të rrënohet, por nuk ka dhënë datë të saktë, duke përmendur 1 dhe 17 shkurtin e këtij viti.

“Murin do ta heqin Institucionet e Republikës së Kosovës. A do të ndodhë me një 1 shkurt apo me 17 shkurt, kjo do të ndodhë jeni të sigurt për këtë”, ka thënë dje Veseli pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

Por për vetë iniciuesin e kësaj rezolute – shefin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, deklaratat e Veseli janë për arsyeje që të mos tregohet data e rrënimit të murit.

“Unë mendoj se z. Veseli ka votuar për rezolutën dhe nuk mendoj që ka menduar ta shtyjë datën, por e ka thënë në mënyrë sipërfaqësore ndoshta me 1 apo me 17 që mos të tregojë datën e rrënimit të murit. Përndryshe nuk do ketë kuptim”, ka thënë Lekaj për Gazetën Insajderi.

Lekaj, më tutje ka thënë se, pavarësisht gjendjes së krijuar dhe tensioneve, muri duhet të rrënohet brenda afatit.

“Qeveria e Kosovës duhet të veprojë në bazë të Kushtetutës së vendit dhe rezolutës që është miratuar dhe fare nuk duhet të shikohen shkaqet e tjera që mund të ketë ngritje tensionet, sepse muri është ngritur ilegalisht dhe duhet të rrënohet në mënyrë urgjente”, ka shtuar Lekaj.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Zgjim Hyseni, ka thënë se kryetari Veseli nuk ka mundësi t’i mbivendoset rezolutës së Kuvendit.

“Për ne nuk është i habitshëm një veprim i tillë i qeverisë sonë, duke ditur që ky regjim është i nënshtruar ndaj Serbisë dhe e ka sakrifikuar vazhdimisht shtetësinë e Kosovës. Tashmë kemi një rezolutë nga Kuvendi që parasheh rrënimin e këtij muri brenda janarit, dhe Kadri Veseli nuk mund t’i mbivendoset kësaj rezolute”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se urgjenca më e madhe këtu është ndërprerja e dialogut, e cila është e vetmja mundësi për të ndalur Serbinë, që çdoherë e më shumë po bëhet agresive ndaj Kosovës.

Kurse deputeti i Nismës për Kosovës, Zafir Berisha, deklaratat e Veselit ai i sheh si politikë ditore.

“Deklaratat e Veselit janë të politikës ditore dhe nuk i marr serioze, sepse me thanë dhe me vepru janë dy gjëra të kundërta. Kjo rezolutë nuk është dashur të nxirret fare, sepse është dashur të funksionohet me ligjet në Kosovë, sepse ka shumë rezoluta të nxjerra dhe nuk kanë asnjë funksion dhe kurrfarë vlere”, ka thënë Berisha.

Kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ka thënë që “assesi të mos provohet që rrënimi i murit të bëhet me dhunë”./Insajderi.com