Opozita barrikadohet kundër platformës së Qeverisë për bisedime

04.06.2018 23:16
Opozita barrikadohet kundër platformës së Qeverisë për bisedime

Partitë opozitare në Kosovë ritheksuan kundërshtimin e tyre ndaj rrugës që po ndjekin institucionet për të drejtuar bisedimet e ardhshme me Serbinë, për një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Qeveria e Kosovës miratoi në muajin prill një platformë për bisedimet me Serbinë në të cilën roli udhëheqës i besohet presidentit të Kosovës. Platforma pritet të debatohet në parlament.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha të hënën se nuk do të përkrahë platformën e qeverisë duke e cilësuar atë jo serioze, të dobët dhe me pretendime jo kushtetuese.

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike, tha për Zërin e Amerikës se partia e saj mbetet e hapur për të ndërtuar një konsensus të përgjithshëm për bisedimet e ardhshme që sipas saj janë shumë të rëndësishme. Ajo tha se platforma aktuale nuk i ka përcaktuar qartë vijat e kuqe të Kosovës.

“Këto nuk janë të përcaktuara qartë në platformën aktuale dhe për më tepër kemi edhe vërejtjet tona sa i përket formatit të përfaqësimit të Kosovës, kemi vërejtur që në këtë draft ka edhe tendenca për të shkuar edhe përtej kushtetutës dhe këtë format ashtu si është nuk do ta pranojmë dhe nuk do ta votojmë”, tha zonja Osmani.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se deri më tani ekziston një konsensus i përbashkët për të hedhur poshtë siç tha pretendimet e institucioneve për mënyrën e zhvillimit të bisedimeve të ardhshme.

“Deri më tani edhe opozita por ndoshta edhe Nisma (në qeveri) është e përcaktuar që presidenti të mos i udhëheq këto bisedime kështu që nuk konsideroj që ekziston madje edhe shumica e thjeshtë e mazhorancës që është fiktive që t’i bëjë numrat edhe për këtë rezolutë në Parlamentin e Kosovës”, tha Konjufca.

Partitë opozitare kritikuan ashpër presidentin Hashim Thaçi pas paralajmërimeve për kompromise të reja me Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Ata thonë se presidenti Thaçi nuk duhet të drejtojë bisedimet meqë sipas tyre ai përballet me një trashëgimi të keqe nga ky proces.

“Kosova nuk është e gatshme, mund të jetë ai (presidenti Thaçi) personalisht i gatshëm për kompromise të dhimbshme por kjo nuk do të thotë që Kosova dhe shumica parlamentare janë të gatshme për kompromise të tilla. Çështja e parë që duhet të ndodhë është që presidenti duhet të njoftojë qytetarët por edhe parlamentin lidhur me takimet e deritanishme që i ka bërë me presidentin e Serbisë brenda një viti, cilat kanë qenë temat e atyre diskutimeve, cili ka qenë qëndrimi që ka mbajt presidenti në emër të Kosovës në qoftë se veç është paraqitur ashtu lidhur me temat që janë shtruar”, tha Osmani.

“Është i dëmshëm ky diskurs i Hashim Thaçit për kompromis me Serbinë kjo po i bie që nënkupton ndoshta ndonjë autonomi territoriale për t’ia dhënë Serbisë që e kontrollon brenda Kosovës. Të gjitha këto do të kundërshtohen jo vetëm nga opozita por edhe nga qytetarët qoftë nevoja edhe me protesta e demonstrata të mëdha”, tha Konjufca.

Kosova e Serbia pritet që të rifillojnë bisedimet gjatë këtij muaji, në një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Deri më tani autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se arritja e marrëveshjes pritet të ndodh brenda një periudhë nëntë muajshe.

Me gjithë kundërshtimet e partive në parlament për mënyrën e udhëheqjes së bisedimeve, presidenti Thaçi do të mund të zhvillojë takimet e ardhshme, mbase brenda këtij muaji.

Por, çështja më e debatueshme është se cilat do të jenë kompromiset që duhet t’i bëjnë të dyja vendet në mënyrë që ky proces të përmbyllet.