Olluri: Ata që më sulmuan janë të lirë fal Policisë e Prokurorisë

Që nga 16 gushti i 2017’ës, rruga ‘Bajram Kelmendi’ është më e errët. Ani pse viteve të fundit në atë rrugë është rritur numri i dritave të vendosura skaj trotuarit, të errët e bën barra e sulmit ndaj gazetarit Parim Olluri.

E vetmja pamje e kryesve të këtij sulmi është ajo që e pa vetë gazetari kur u sulmua. Akoma asnjë i arrestuar, e madje as i dyshuar për këtë rast, ani pse ekzistojnë incizime të kamerave të sigurisë, shkruan gazetametro.net.

Por kryesit e veprës ndaj Ollurit po qëndrojnë të lirë, siç thotë vetë gazetari, falë Prokurorisë dhe Policisë. Ai thotë se organet e sigursë kanë kapacitete, por s’kanë vullnet t’i zbardhin këto raste.

‘Institucionet e sigurisë, Prokuroria e Policia, kanë kapacitete por nuk kanë vullnet me i zbardhë dhe ndëshku krimet ndaj gazetarëve’, ka thënë Olluri.

Përveç kësaj, Olluri nuk beson fare në këto institucione. Ai shton se sulmuesit zbulohen vetëm atëherë kur këtë gjë e bën gazetari duke zbuluar emrin e mbiemrin, përndryshe në raste të tjera, ata nuk merren vesh asnjëherë.

Ilustrim për këtë, sipas Ollurit, janë sulmet ndaj tij dhe kolegut Vehbi Kajtazi. Sipas Ollurit, sulmuesi i Kajtazit u kap nga Policia vetëm falë zbulimit të emrit dhe mbiemrit nga vetë Insajderi.

‘Tek rasti tjetër, ndaj kolegut Kajtazi, kanë arritur ta zbulojnë. Shtrohet pyetja Pse? Kjo ka ndodhur pasi ne i kemi njohur me emër e mbiemër miqtë e sulmuesit që kanë pi kafe me ta. Kjo tregon se Policia e Prokuroria i zbulon sulmuesit e gazetarëve vetëm në rast se gazetari i njeh sulmuesit me emer e mbiemër’, ka thënë Olluri për Metron.

E se po punohet pak për dënimin e sulmuesve dhe kërcënuesve të gazetarëve, e thotë edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj. Ai sqaron se në pjesën dërmuese të rasteve nuk arrestohet e as dënohet askush.

‘Pjesa dermuese e këtyre rasteve nuk janë trajtuar në mënyrë adekuate dhe ka fare pak hetime që kanë dërguar në arrestimin apo edhe dënimin e personave përgjegjës’, ka thënë Hysenaj.

Megjithatë, Hysenaj thotë se ka sado pak progres. Ai hedhë fajin tek gjykatat si më neglizhentet në trajtimin e rasteve të gazetarëve.

Ndërkaq, kur sot shënohet Dita Ndërkombëtare për Ndalimin e Mosndëshkueshmërisë së Krimeve Kundër Gazetarëve, përveç rasteve të përmendura më lart, këtë vit janë regjistruar edhe 15 raste të tjera kur gazetarët janë sulmuar fizikisht.

Ndërkohë, dënimet për kërcënimet jo të pakta, numërohen në gishta. Ka qenë viti i fundit kur janë dënuar dy kërcënues të gazetarëve të cilët janë dënuar jo më shumë se me 300, respektivisht 500 euro gjobë. Këto dënime janë qesharake sipas juristes për të drejtat e mediave, Flutura Kusari.

’Këto janë dënime qesharake që përmbajnë mesazh të qartë: kërcënoni gazetarët se kaloni lehtë’ ka thënë ajo.

Ndërkohë, Olluri vazhdon të shkojë për në shtëpi rrugës ku edhe u sulmua, duke ditur se sulmuesit qëndrojnë të lirë edhe sot kur shënohet kjo ditë që kërkon dënimin e tyre./gazetametro.net