OKB paralajmëron për mungesë ushqimi në Aleppo

OKB paralajmëron për mungesë ushqimi në Aleppo

OKB-ja thotë se racionet e fundit ushqimore në dispozicion janë dorëzuar në qytetin e Aleppo, ku një çerek milion njerëz janë rrethuar nga forcat qeveritare siriane, të mbështetura nga sulmet ajrore të Rusisë.

Kreu i task forcës humanitare të OKB-së për Sirinë, Jan Egeland, u tha gazetarëve se nuk do të ketë ushqim për të shpërndarë në pjesën lindore të qytetit që kontrollohet nga rebelët, javën e ardhshme, nëse nuk do të ketë rifurnizim.

Konvojet e OKB-së nuk kanë arritur deri në lindje të Aleppos që nga korriku, kur forcat qeveritare ndërprenë rrugën e fundit të furnizimit, shkruan rel.

“Njoftimet që I kemi tani nga brenda Aleppos Lindore janë se racionet e fundit të ushqimit janë shpërndarë”, tha Egeland në Gjenevë. “Është një situatë e tmerrshme”.

Egeland tha se shpreson se do të arrihet një marrëveshje me qeverinë e Sirisë dhe me grupet rebele për të lejuar shpërndarjen e ushqimit dhe të barnave si dhe do të mundësojnë evakukimet mjekësore dhe qasjen për punonjësit shëndetësorë.

“Besoj se do të arrijmë që të ndalim urinë masive këtë dimër”.