OKB: Mbi 300 civilë janë vrarë që prej nisjes së ofensivës në Mosulin Perëndimor

28.03.2017 16:11
OKB: Mbi 300 civilë janë vrarë që prej nisjes së ofensivës në Mosulin Perëndimor

Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 300 civilë janë vrarë në qytetin irakian të Mosulit, që prej nisjes së ofensivës kundër militantëve të Shtetit Islamik, muajin e kaluar.

Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, përmes një deklarate për media, ka thënë sot se “është e rëndësishme që forcat irakiane të sigurisë dhe partnerët e tyre të koalicionit”, të shmangin “sulmet ndaj forcave të IS-it, që gjenden në zona të banuara dhe të cilët i përdorin civilët si mburoja njerëzore gjatë sulmeve”.

“Ky armik shfrytëzon pamëshirshëm civilët për t’i shërbyer qëllimeve të veta dhe në mënyrë të qartë nuk e ka problem që t’i vë ata në rrezik”, ka thënë Hussein.

Zyrtarët irakianë dhe ata të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së janë duke hetuar raportet se në sulmet ajrore ndaj militantëve të IS-it, mund të jenë vrarë dhjetëra por qindra persona në ditët e fundit.

Hussein u ka bërë thirrje forcave irakiane dhe koalicionit ajror që udhëhiqet nga SHBA-ja, që të sigurohen që këto hetime të jenë transparente.

Forcat irakiane, që mbështeten nga koalicioni ajror që udhëheq SHBA-ja, për muaj të tërë janë duke luftuar kundër IS-it në Mosul.

Në muajin janar, forcat irakiane arritën të largonin militantët e IS-it nga lindja e Mosulit dhe tash e një muaj po luftojnë për të marrë nën kontroll edhe pjesën perëndimore.

Më shumë se 200,000 civilë janë larguar nga Mosuli Perëndimor vetëm gjatë muajit të kaluar por rreth 600,000 të tjerë vazhdojnë të jenë në pjesët e qytetit që kontrollohen nga IS-i ka thënë OKB.