OKB kritikon Trump se po nxit ksenofobinë

OKB kritikon Trump se po nxit ksenofobinë

Politikat e presidentit amerikan Donald Trump për emigracionin mund të sjellin dëbim kolektiv të emigrantëve, diçka që do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Kështu deklaroi komisioneri i lartë OKB-së për të drejtat e njeriut, Yeid Ra’ad al-Hussein, gjatë prezantimit të raporti të tij vjetor.

Husein ngriti shqetësimin e tij për urdhrin ekzekutiv të radhës së Trump, që kërcënon me përdorimin e burgosjes, përfshirë atë të fëmijëve, diçka që mund të shkatërrojë familjet.

Sipas tij, ka nevojë për lidership të fortë për tu përballur me rritjen e diskriminimit, antisemitizmit dhe dhunës kundër minoriteteve në SHBA.

“Në SHBA jam i shqetësuar për manaxhimin e shumë çështjeve të të drejtave të njeriut nga administratë e re. Poshtërimi i grupeve të tëra si meksikanët apo myslimanët dhe pretendimet e rreme se emigrantët bëjnë më shumë krime se qytetarët amerikane, janë të dëmshme dhe nxisin ksenofobinë”, deklaroi Husein, i cili nuk harroi që të shprehte tronditjen e tij nga përpjekjet e presidentit Donald Trump për të frikësuar mediat e gjykatësit dhe për të penguar punën e tyre.