O’Conell ndjehet i shqetësuar për kriminelët që nuk kanë dalë ende para drejtësisë

O’Conell ndjehet i shqetësuar për kriminelët që nuk kanë dalë ende para drejtësisë

Ambasadori britanik në Kosovës, Ruairi O’Connell është ende i shqetësuar me faktin se kriminelët e luftës në Kosovës ende nuk kanë dalë para drejtësisë për të dhënë llogari për të bëmat e tyre.

Ai ka vizituar familjarët e viktimave të luftës në Drenicë, Gjakovë e vende të tjera ku mekanizmat e Serbisë kanë kryer masakra.

“Ndjej dhimbje për këto familje”, ka thënë ambasadori britanik në Kosovës, që ishte i pranishëm në tryezën e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare ku kjo e fundit ka prezantuar raportin vjetor mbi monitorimin e gjykimeve mbi krimet e luftës dhe vepra penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë.

Ai ka shtuar se këto familje nuk e kanë të lehtë të harrojnë se çfarë ndodhi me familjarët e tyre derisa ka thënë se të gjithë kanë obligim të ndihmojnë që të shërohen këto plagë.

Sipas tij, për tu shëruar këto plagë, duhet të dëgjohen një herë familjet e viktimave të krimit.

O’Connell ka shtuar se Kosova ka dëshmuar se nuk ka frikë të ballafaqohet me krimet që kanë mundur të ndodhin në kohë lufte.

Ambasadori britanik në Kosovë ka kërkuar që trajtimi i krimeve të luftës duhet të jetë prioritet.

Mirëpo Anka Kurteshi – Hajdari, nga Fondi për të Drejtat Humanitare ka thënë se misionet ndërkombëtare që kanë trajtuar lëndët e krimeve të luftës në Kosovë kanë bërë fare pak.

Sipas evidencave të kësaj organizate për 17 vjet janë proceduar 44 raste për krime lufte në Gjykata, derisa në kuadër të tyre, 63 shqiptarë kanë qenë të akuzuar në 20 lëndë derisa 43 serbë në 22 lëndë.

Ndërkohë që gjykimet për këto lëndë në disa raste janë ende në vijim e sipër. /Insajderi.com