Objekti i gjimnazit në Lipjan kushtoi 2 milion euro, prishet pas një viti

Objekti i gjimnazit në Lipjan kushtoi 2 milion euro, prishet pas një viti

Drejtues të ekzekutivit të Komunës së Lipjanit pas një vizite në objektin e gjimnazit “Ulpiana” të hënën, i cili është përuruar rreth një vit më parë, kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit përgjegjësi për një varg defektesh teknikesh shkaku i punimeve jocilësore.

Në këtë objekt MASHT-i pati investuar rreth 2 milionë euro, ndërkohë në disa klasa mësimi po zhvillohet me shumë vështirësi si pasojë e ujit dhe lagështisë e cila ka depërtuar nga pullazi, pastaj muret afër nyjave sanitare janë plasaritur, ujësjellësi në disa pjesë brenda objektit rrjedh vazhdimisht, dyshemeja e fushës sportive është dëmtuar, si dhe disa defekte të tjera jashtë objektit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, pas kësaj vizite në objektin e ri të gjimnazit “Ulpiana” në Lipjan ka vlerësuar se ky objekt duhet të rinovohet me urgjencë nga MASHT-i dhe njëkohësisht duhet të japin përgjegjësi dhe llogaridhënie për paratë e taksapaguesve me të cilat është ndërtuar objekti mbi 2 milionësh.

Ndërkohë Ali Stublla, drejtor i kompanisë “Stublla”, i cili e ka ndërtuar objektin 2- milionësh të gjimnazit “Ulpiana”, në Lipjan ka thënë se udhëheqësit e shkollës nuk po angazhohen për mirëmbajtjen e objektit derisa uji nëpër korridore dhe nëpër banja ka shpërthyer si pasojë e moskujdesit të tyre.