Obama premton sanksione të reja ndaj Koresë Veriore

Obama premton sanksione të reja ndaj Koresë Veriore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama e ka quajtur “kërcënim të rëndë” ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë rajonale testin e fundit bërthamor të Koresë Veriore që e bëri të premten.

“Për të qenë i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë dhe nuk do ta pranojnë kurrë Korenë e Veriut si një shtet me armë bërthamore”, tha Obama përmes një deklarate, ku vendi i izoluar komunist veçohej si shteti i vetëm që ka zhvilluar teste bërthamore gjatë këtij shekulli.

Koreja e Veriut realizoi këtë të premte testin e pestë dhe më të madhin bërthamor, test që u dënua masivisht nga shumë vende, përfshi edhe aleatin më të madh të saj, Kinën.

Peniani bëri të ditur se ka perfeksionuar aftësinë për të vendosur koka bërthamore në raketat balistike, duke nxitur kështu një kërcënim ndaj komunitetit ndërkombëtar, i cili ka qenë i pafuqishëm për ta frenuar.

Obama tha se testi ishte “një kërcënim i rëndë për sigurinë rajonale dhe paqen e stabilitetin ndërkombëtar”, ndërsa “ndjek një fushatë të paprecedentë të lëshimit të raketave balistike”.

Testimi u krye në 68-vjetorin e themelimit të Koresë së Veriut, teksa erdhi në momentin kur Obama u rikthye në Uashington pas një udhëtimi 9-ditor në Azi.

Më herët gjatë kësaj jave, Koreja e Veriut lëshoi 3 raketa balistike në det, të cilat përfunduan në ujërat territoriale të Japonisë, në kohën kur udhëheqësit e G20-s, grupit të vendeve me ekonomitë më të zhvilluara të botës, po zhvillonin një samit në Kinë.