Obama: Kongresi gaboi me Ligjin për 11 Shtatorin

Obama: Kongresi gaboi me Ligjin për 11 Shtatorin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se Kongresi ka bërë “gabim” me prishjen e vetos së tij mbi ligjin që lejon veprime gjyqësore kundër Arabisë Saudite, për shkak të sulmeve të 11 shtatorit.

Obama tha se ligji vë një “precedent të rrezikshëm” për individët në të gjithë botën që të padisin Qeverinë amerikane.

Kongresi të mërkurën ka prishur për herë të parë fuqinë e vetos së Obamës.

Legjislacioni, i njohur si Drejtësi kundër Sponsorëve të Terrorizmit, hap rrugën për familjet e viktimave që të padisin çdo anëtar të Qeverisë saudite, të dyshuar për sulmet e 11 shtatorit, njofton BBC.

Pesëmbëdhjetë nga 19 rrëmbyesit e aeroplanëve më 11 shtator 2001, kanë qenë shtetas sauditë, por Arabia Saudite, aleat i rëndësishëm i ShBA-së, ka mohuar çdo rol në sulmet që kanë lënë afro 3 mijë njerëz të vrarë.

Ndonëse inteligjenca e ShBA-së ka ngritur dyshime për disa lidhje të rrëmbyesve, ajo nuk ka arritur të dëshmojë se zyrtarët sauditë kanë siguruar mbështetje financiare për të dyshuarit.

“Shqetësimi im nuk ka të bëjë asgjë me Arabinë Saudite”, tha presidenti Obama, në një intervistë në televizionin CNN.

Ai tha se ligji mund të ekspozojë kompanitë amerikane, trupat dhe zyrtarët përballë padive të mundshme jashtë shtetit.

“Unë nuk dua që të arrijmë në një situatë, ku për shkak të punës që bëjmë nëpër botë, të bëhemi subjekt i padive private”, tha Obama./Insajderi.com