“Nxirrini jashtë” – fjalia që mund t’i kushtojë Donald Trumpit

“Nxirrini jashtë” – fjalia që mund t’i kushtojë Donald Trumpit

Procesi gjyqësor kundër Donald Trumpit për nxitje dhune kundër protestuesve do të vazhdojë, pasi një gjykatës federal doli me vendimin se argumenti i zotit Trump për të drejtën e lirisë së fjalës nuk qëndron në këtë rast.

Gjykatësi federal David Hale në Luisville të Kentakut mundëson hapjen e procesit gjyqësor pas padisë së tre protestuesve ndaj zotit Trump, fushatës së tij presidenciale dhe tre përkrahësve të tij.

Akuzuesit thonë se u bënë objekt dhune fizike nga përkrahësit e zotit Trump, në një tubim në mars 2016 në Luisville, pasi zoti Trump kishte nxitur turmën me fjalët “Nxirrini jashtë”.

Avokatët e zotit Trump kanë ngritur argumentin se komentet e tij mbrohen nën amendamentin për lirinë e fjalës dhe se ish-kandidati presidencial nuk po i nxiste përkrahësit të përdornin forcë, por gjykatësi tha se komentet e zotit Trump ishin një udhëzim i qartë për protestuesit.