Nxënësit në Serbi nuk mësojnë as edhe një shkronjë të vetme për luftën në Kosovë

28.11.2017 08:26
Nxënësit në Serbi nuk mësojnë as edhe një shkronjë të vetme për luftën në Kosovë

Profesori Raymond Murphy nga Qendra Irlandeze për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Kombëtar të Irlandës “Galway”, ka shkruar një artikull pas dënimit me burgim të përjetshëm të gjeneralit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Në këtë artikull, të botuar në “Irish Legal News”, profesori Murphy, pasi shqyrton procesin që çoi drejt arrestimit dhe më pas dënimit të Mlladiqit nga Tribunali i Hagës, trajton me disa bashkëbisedues edhe çështjen e Serbisë në raport me luftërat me shtetet fqinje.

Në artikull thuhet se asnjë shtet i Ballkanit nuk ka bashkëpunuar plotësisht me gjykatën e OKB-së dhe se të gjithë janë mundur t’i mbrojnë të dyshuarit e tyre për krime lufte. Por serbët kanë kryer krimet më të mëdha në konfliktet e viteve të 1990-ta – përfshi edhe gjenocidin – dhe deri më tani, për shumë njerëz, Beogradi ka një përgjegjësi të veçantë për këto krime.

Liderët e saj e cilësojnë Tribunalin si “anti-serb” dhe mohojnë se masakra e Srebrenicës (e vitit 1995) ka qenë gjenocid, ndërsa lejojnë një kriminel të dënuar të luftës që të ligjërojë në akademinë ushtarake në Beograd dhe ushqejnë një tregim të viktimizimit dhe mohimit.

“Hulumtimi ynë tregon se pjesa më e madhe e popullit në Serbi nuk dëshirojnë të dinë për gjykimet për krime lufte”, thotë Jelena Kërstiq nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd, qendër e cila kërkon që Serbia dhe fqinjët e saj ta vazhdojnë punën e Tribunalit, transmeton Koha.net.

“Në shkolla, nuk ka as edhe një fjalë të vetme për luftën në Kosovë. Fëmijët mësojnë se NATO ka bombarduar Serbinë nga muaji mars deri në qershor të vitit 1999, por nuk thuhet asgjë për krimet e luftës, deportimet, dhunimet dhe varrezat masive”, shton ajo.

“Në lidhje me luftërat tjera, sqarimet janë shumë të bazuara etnikisht – dhe natyrisht, faji bie mbi Bosnjën dhe Kroacinë sepse kanë dashur të ndahen nga Jugosllavia dhe Serbia dëshironte që ajo të mbijetonte”.

“Nuk do të thosha se ky është një proces i harrimit; është proces i mbamendjes së tregimeve të gabuara të së kaluarës. Ndoshta më mirë do të ishte të harrojmë sesa të mësojmë atë që nuk është e vërtetë, se nuk ka pasur luftë në Kosovë, apo se nuk ka ndodhur Srebrenica e të tjera”.

Pas dënimit të Mlladiqit, liderët e Serbisë kërkuan nga populli i tyre që të shikojnë kah e ardhmja, e jo e kaluara, ndërsa presidenti i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik – i cili veçse ua ka ndaluar shkollave të rajonit të tij të mësojnë për Srebrenicën dhe për rrethimin 44 muajsh të Sarajevës – e quajti Mlladiqin “hero dhe patriot”.