Nxënësit në Mitrovicë nën përcjellje nga policia

05.09.2016 18:01

Si në hapësirat shkollore po ashtu edhe jashtë saj. Policia e në Mitrovicë do të jetë gjithkah. Ky është plani  “Siguria në shkolla” që ka nisur të zbatohet  në qytetin në kufi me Serbinë.

Nxënësit në Mitrovicë nën përcjellje nga policia

Policia në Mitrovicë do të jetë e fokusuar në një plan që ka për fokus nxënësit e shkollave të të gjitha niveleve në këtë qytet.

Përtej shkollave ky mision do të shtrihet edhe në “rrugët e komunikacionit rrugor” dhe sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë me kohë janë bërë gjitha përgatitjet e duhura për fillim të implementimit të këtij plani operativ.

“Duke pasur parasysh se brenda planit operativ policor fazat e veprimit janë të njëpasnjëshme për qasje proaktive në fushën e ofrimit të sigurisë, kështu për fazën fillestare Njësia e Komunikacionit Rrugor në nivel të rajonit të Mitrovicës ka përgatitur planin e veprimit, që ka për qëllim ofrimin e sigurisë në rrugët afër dhe përgjatë shkollave, ndërsa në prioritet janë vënë nëntë shkolla fillore, shkolla këto të cilat kanë qasje të drejtpërdrejtë në rrugët magjistrale dhe rajonale”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Njësitë policore të komunikacionit rrugor rajonal në zonat afër këtyre shkollave do të shtojnë masat e sigurisë, ku në fokus sipas komunikatës do të kenë intervalet kohore të ardhje – vajtjes së nxënësve të klasave të para, ku pjesëmarrja e tyre në rrugët e komunikacionit rrugor është për herë të parë.

“Bashkë me njësitë e komunikacionit rrugor brenda planit operativ, për angazhime operative policore janë përgatitur edhe stacionet policore, ku sipas planit që nga sot nëpër shkolla fillore dhe të mesme angazhohen zyrtarë policorë, përfshirë edhe zyrtarë policorë në rroba civile”, thuhet në komunikatë.

Gjithë qasja policore për ofrim të sigurisë në objektet edukativo-arsimore do të vazhdojë në bashkërendim me autoritete edukativo-arsimore, si në nivel të drejtorive komunale të arsimit, të drejtorive të shkollave, këshillave të prindërve, këshillave të nxënësve.

Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, duke respektuar rregullat e trafikut rrugor.

Madje në fund ka pasur edhe një mesazh.

“ Kujdes në zonat dhe objektet e shënjuara ‘shkolla’, duke u kujdesur për veten, ju kujdeseni për të tjerët”, thuhet në fund të komunikatës./Insajderi.com