Numri i vrasjeve të të miturve gjatë këtij viti në Kosovë

Numri i vrasjeve të të miturve gjatë këtij viti në Kosovë

Numri i vrasjeve në një shtet të vogël siç është Kosova vazhdon të jetë shqetësues dhe ofron pasiguri tek qytetarët

Përgjatë vitit 2017,nga muaji janar deri në muajin nëntor në Kosovë kanë ndodhur 24 raste të vrasjes për motive të ndryshme.

Nga këto 24 raste sa janë raportuar në Policinë e Kosovës, vetëm 18 raste apo 75 për qind e tyre janë zgjidhur, ndërsa gjashtë raste tjera janë ende nën hetim.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha në një prononcim për portalin arbresh.info ka thënë se rastet e vrasjeve në përgjithësi janë tepër shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë.

“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla”, thotë Hoxha.

Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Burim Ramadanin janë dy faktorë kryesorë që ndikojnë në numrin e madh të vrasjeve në Kosovë.

“Vrasjet në Kosovë janë shqetësuese, si për nga numri, po ashtu edhe për nga niveli i ndëshkueshmërisë ligjore. Mendoj se janë dy faktorë kryesorë: ekzistimi i numrit të madh të armëve ilegale në duart e qytetarëve, dhe një praktikë e ndëshkueshmërisë së ulët për autorët e vrasjeve”, thotë Ramadani për arbresh.info.

Ai kërkon nga institucionet e Kosovës që të angazhohen në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Policia e Kosovës në përgjigjen për arbresh.info ka thënë se gjatë muajve janar- nëntor ka konfiskuar 1055 armë të llojeve të ndryshme.

“Policia me anë të fushatave dhe apeleve të drejtuara qytetarëve ka kërkuar në vazhdimësi që të mos përdoren armët me theks të veçantë gjatë ahengjeve të ndryshme”.

Krahasuar me vitet e kaluara ka një rënie të numrit të vrasjeve në Kosovë.

Duke u nisur që nga vitit 2008 ku janë regjistruar 45 vrasje, në vitin 2009 55 vrasje, 2012 59 vrasje, 2011 44 vrasje, 2012 50 vrasje, 2013 44 vrasje, 2014 37 vrasje, 2015 27 vrasje dhe vitin e kaluar 26 vrasje.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2017 ka ndodhur edhe një vrasje e një 17 vjeçari i cili është therur për vdekje me thikë në rrugën “Gustav Mayer” në Prishtinë.

Krahasuar me vitet e kaluara, këtë vit vërehet se numri i të miturve që janë vrarë është dukshëm më i madh. Kujtojmë këtu edhe vrasjen e 17 vjeçarit Aulon Zeka nga dy të mitur tjerë që shkaktoi protesta dhe ngjalli shumë debate.