Numërohen 33 për qind të votave në Turqi: Ky është rezultati i referendumit

Numërohen 33 për qind të votave në Turqi: Ky është rezultati i referendumit

Nga 33 për qind të votave të numëruara nga referendumi i mbajtur sot në Turqi, 61 për qind e votuesve kanë votuar pro ndryshimeve kushtetuese në shtetin turk.

Siç njofton agjencia e lajmeve Anadolu, nga 33 për qind e votave të numëruara rreth 38 për qind kanë votuar kundër ndryshimeve kushtetuese.

Për çfarë u votua sot në Turqi?

Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të 18 neneve, parashikohet rritja e numrit të deputetëve nga 550 që është aktualisht të shkojë në 600 dhe ulja e moshës për deputet nga 25 në 18 vjeç.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të bëhen një herë në 5 vite dhe në të njëjtën ditë. Personit të zgjedhur si president nuk do ti hiqet lidhja me partinë.

Kandidati për president mund të zgjidhet nga grupet parlamentare, partitë të cilat kanë marrë më shumë se 5 për qind të votave në zgjedhjet paraprake, ose me firmat e 100 mijë qytetarëve.

Nëse Presidenti akuzohet për diçka, parlamenti do të ketë mundësi që me një shumicë të theksuar ti hapë rrugën e dërgimit përpara drejtësisë.

Zëvendësit e Presidentit dhe ministrat do të mund të zgjidhen dhe shkarkohen nga presidenti. Ngritja e ministrive të reja, heqja, dhënia e detyrave, apo organizimi i tyre do të bëhet me vendim të presidentit.

Parlamenti me tre të pestat e votave do të mund të dërgojë vendin në zgjedhje të reja, njofton Anadolu Agency.

Nëse presidenti vendos për zgjedhje të reja, zgjedhjet presidenciale bëhen bashkë me ato parlamentare.

Nëse parlamenti vendos të shkojë në zgjedhje të parakohshme, gjatë mandatit të dytë të presidentit, atëherë presidenti në detyrë do të ketë të drejtë të hedhë përsëri kandidaturën.

Numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të ulet nga 17 në 15. /Insajderi.com