Nuk ndalet së shënuari por De Biazi s’e ka në planet e tij

Sulmuesi i Grasshoppers-it, Shani Tarashaj, ka shënuar dy gola në fitoren e skuadrës së tij ndaj Sionit 3 me 0, por as forma e mirë e shfaqur nuk ia garanton futbollistit nga Prizreni një vend në Kampionatin Evropian me Kombëtaren kuqezi. 

Nuk ndalet së shënuari por De Biazi s’e ka në planet e tij

Kosovari i cili është blerë në janar nga Evertoni por është në huazim tek ekipi zviceran deri në fund të këtij stinori është kthyer në një nga futbollistët më të mirë të kampionatit elitar të futbollit zviceran, raporton Insajderi.

Deri në këtë fazë të kampionatit Tarashaj ka shënuar 10 herë duke shtuar edhe një asistim në lojën e tij. 21-vjeçari që luan në pozitën e sulmuesit të krahut i njohur për shpejtësinë dhe teknikën që e karakterizojnë është duke kaluar në një formë mbresëlënëse.

Megjithatë, 21-vjeçari duket se ka shumë pak shanse për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare, për aq kohë sa trajner të jetë italiani Gianni De Biasi. Trajneri i Shqipërisë nuk e ka pranuar mirë faktin se Tarashaj e kishte refuzuar njëherë ftesën e tij.

Italiani më parë në një intervistë të dhënë për të përditshmen zvicerane “Blick” ka thënë se Tarashaj nuk do të grumbullohet asnjëherë në Kombëtaren Shqiptare derisa ai të jetë trajner.

“Kam biseduar me të dhe më ka thënë se nuk ka dëshirë që të mendojë për këtë gjë në këtë moment. Në këtë pikë, çështja është e mbyllur për mua”, pati thënë trajneri i kuqezinjve.

Por pas kësaj deklarate Tarashaj kishte reaguar duke thënë që ëndrra e tij është të luajë për Shqipërinë dhe se trajneri De Biasi nuk mund ta ndalë atë drejtë ëndrrës për të luajtur me kuqezinjtë.

“Unë nuk ia kam mbyllur derën Shqipërisë por as Shqipëria nuk ma ka mbyllur mua derën, kjo është vetëm dëshirë e trajnerit italian De Biasi”, kishte thënë talenti kosovar për “Telegrafi-n”, pasi disa ditë më parë De Biazi ia kishte mbyllur derën përfundimisht.

Në këto rrethana të ndërlikuara ekziston mundësia që futbollisti i lindur në Prizren të luajë për përfaqësuesen zvicerane, e cila është në emergjencë për një sulmues në formë, duke parë që Seferoviç apo Drmiç nuk janë duke kaluar një situatë të mirë.

Tarashaj ka kaluar në të gjitha kategoritë e reja të përfaqësueses së Zvicrës, së fundmi me U-21, me të cilën ka shënuar 5 gola në nëntë paraqitje.