BE nuk komenton idenë e riformatimit të dialogut me Serbinë “delikuente”

BE nuk komenton idenë e riformatimit të dialogut me Serbinë “delikuente”

Bashkimi Evropian nuk ka komentuar idenë e Qeverisë së Kosovës për riformatimin e dialogut me Serbinë derisa presioni për ndryshim formati të bisedimeve është në rritje.

Një numër provokimesh nga Serbia gjatë disa javëve të fundit – që kulmoi fundjavën e kaluar me përpjekjen për të futur në Kosovë trenin ilegal – ka rritur presionin për ndryshimin e formatit të dialogut me Serbinë.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës insistojnë se dialogu mbetet domosdoshmëri për normalizimin e marrëdhënieve, por pranojnë se ekzekutivi është i detyruar të mendojë qasje të re karshi një Serbie siç është thënë, delikuente.

“Jemi të shtrënguar që të rimendojmë për një ridefinim të formatit të dialogut. Sikurse edhe e ka thënë kryeministri Isa Mustafa, ne nuk mund të vazhdojmë kështu, duke u marrë vesh për mosmarrëveshjet pse nuk janë zbatuar marrëveshjet e mëhershme. Kjo logjikë na dëmtoi”, ka thënë për media zyrtari për media në Qeverinë e Kosovës, Faton Abdullahu.

“Ne jemi shumë konstruktiv deri më tash. Duam që Bashkimi Evropian ta kuptojë se me çfarë Serbie të re, delikuente, po ballafaqohemi dhe të na ndihmojë edhe Brukseli që ta ridefinojmë këtë dialog”.

Ideja për riformatimin e dialogut fillimisht ka ardhur nga presidenti Hashim Thaçi pas zgjedhjes së tij në këtë post në fillim të vitit të kaluar. Megjithatë, deri më tani nuk janë dhënë detaje rreth asaj se çfarë ndryshimesh do të duhet të bëhen.

Në anën tjetër, qeveria po përballet me presion të shtuar nga partitë opozitare, të cilat po kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve.

Por, rreth kërkesës së Kosovës për ndryshim formati në dialog nuk është deklaruar Bashkimi Evropian.

Insajderi ka tentuar të marrë një qëndrim nga Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, por ajo nuk ka kthyer përgjigje për disa ditë me radhë.

Kocijançiq, ndër tjerash është pyetur edhe nëse Qeveria e Kosovës tashmë i është drejtuar BE-së rreth idesë për riformatimin e dialogut.

Fundjavën e kaluar tensionet mes Kosovës e Serbisë u rritën pasi që nga Beogradi ishte nisur një tren ilegal, në të cilin shkruhej Kosova është Serbi në shumë gjuhë të botës. Kosova kishte dërguar forca të shtuara të Policisë së Kosovës në pjesën veriore për të ndalur trenin, ndërsa Serbia kërcënonte me dërgim të ushtrisë gjoja për të mbrojtur serbët e Kosovës.

Ky veprim vije pas arrestimit të ish-kryeministrit Haradinaj në Francë, bazuar në një urdhëarrest të lëshuar nga Serbia, si dhe ndërtimin e një muri ndarës afër urës së lumit Ibër në Mitrovicë.

Pas këtyre zhvillimeve, Bashkimi Evropian ka ftuar në takim të martën kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq./Insajderi.com