“Nuk kemi kohë për të humbur, është koha për ta ndërtuar Kosovën”

“Nuk kemi kohë për të humbur, është koha për ta ndërtuar Kosovën”

Sot në prani të një numri të madh të qytetarëve, Aleanca Kosova e Re, bashkë me partnerët e koalicionit LDK-LD-Alternativa, ka mbajtur tubimin e radhës në fshatin Kishnicë.

Në këtë tubim, ku janë prezantuar edhe kandidatët e koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, për deputetë në Kuvendin e Kosovës, Presidenti Behgjet Pacolli rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e tij ndaj kandidatit të koalicionit për kryeministër, Avdullah Hoti.

Pacolli para qytetarëve të Kishnicës ka thënë se programi zhvillimor i koalicionit do të zbatohet nga njerëzit profesionistë të cilët kanë lënë pas vetes suksese dhe veprimtari të shquar.

“Lista e kandidatëve tanë për deputetë në krye me kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Avdullah Hoti, do të zbatojë programin qeverisës për zhvillimin e Kosovës dhe krijimin e një perspektive të qartë për qytetarët tanë, ne mendojmë për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, në tubimin e koalicionit në Kishnicë.

Në këtë tubim lideri i AKR-së Behgjet Pacolli iu bëri thirrje qytetarëve që me datën 11 qershor, ta mbështesin koalicionin e shpresës, i cili është i gatshëm për ta zhvilluar Kosovën ekonomikisht.

“Tash është koha për njerëzit që do ta ndërtojnë Kosovën e që do ta zhvillojnë atë, nuk kemi kohë për të humbur”, ka shtuar i pari i AKR-së.

Ndërsa kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, Avdullah Hoti premtoi zbatim të programit i cili siguron zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe ardhmëri me prosperitet.