“Nuk kam dyshim, sulmin e kryen aktivistët e VV” – prokurorin s’e bind as raporti i FBI-së

Prokurori Abdurrahim Islami, që ngriti aktakuzën ndaj katër aktivistëve të VV-së të dyshuar për terrorizëm, thotë se nuk ka asnjë dilemë se Frashër Krasniqi, Egzon Haliti, Atdhe Arifi dhe Adea Batusha janë kryesit e sulmit me zollë, më 4 gusht 2016 në Kuvend. Derisa Frashër Krasniqi dhe avokati i tij, Tomë Gashi, pretendojnë se një raport i FBI-së konstaton se asnjë imazh i përshkrimit të sulmuesve nuk përputhet me fytyrat e të akuzuarve.

“Nuk kam dyshim, sulmin e kryen aktivistët e VV” – prokurorin s’e bind as raporti i FBI-së

Deputeti i VV-së që akuzohet për terrorizëm, Frashër Krasniqi, ka publikuar një letër në Facebook, për të cilën pretendon se është raport i ekzaminuar në SHBA, nga FBI.

Sipas tij, ky dokument konstaton se imazhet e nxjerra nga disa video incizimet në afërsi të objektit të Kuvendit të Kosovës që u sulmua me zollë, më 4 gusht të vitit të shkuar, nuk përputhen me imazhet e të akuzuarve, në këtë rast të vetë Krasniqit, dhe tre aktivistëve tjerë të VV-së Egzon Haliti, Atdhe Arifi dhe mbesa e kreut Visar Ymeri, Adea Batusha.

“Përgjigjja qe erdhi sot nga FBI-ja pas analizimit të materialeve të dërguara nga Prokuroria në lidhje me rastin e montuar kundër nesh, thotë në mënyrë të qarte se ‘Asnjë imazh i individëve ne fjale (pra imazheve tona), nuk është gjetur ne video materialët e dorëzuara (nga Prokuroria).’ Pra pas raporteve të ADN-së, tash edhe FBI e vërtetoi pafajësinë tonë”, ka shkruar në Facebook, zëdhënësi i VV-së.

Por, prokurori i Shtetit, Avdurrahim Islami, që më 25 dhjetor 2016 ngriti aktakuzën ndaj 4 të dyshuarve, thotë se nuk ka asnjë dilemë se personat që shihen në ato incizime, ndonëse imazhet nuk janë të qarta, janë aktivistët e VV-së që po gjykohen për terrorizëm.

“Absolut. Nuk ka as më të voglën dilemë për të katërtit. Te gjitha ato çka janë shkru në aktakuzë janë duke u vërtetuar edhe në gjykatë nga dëshmitarët”, i tha Gazetës Express, të premten prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Tutje, Prokurori Islami sqaron se në imazhet në fjalë, shihen aktivistët e dyshuar për terrorizëm, teksa largon me motorin, i cili më vonë u gjet i djegur, mesnatën e 5 gushtit 2016, nga vendi i ngjarjes ku kryen sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.

Ai thotë se në këto incizime shihet edhe çanta me të cilën ata kanë bartur mjetin minahedhës të tipit zollë.

Të kundërtën e Prokurorit, sikurse klienti i tij, pretendon dhe mbrojtësi Tomë Gashi, i njohur kohëve të fundit për afërsinë e tij më Lëvizjen Vetëvendosje.

“Raporti të cilin e morëm sot në mënyrë të padyshimtë vërteton se asnjë imazh i marrë nga Policia e Kosovës në 12 lokacione, në rastin e gjuajtjes me granatahedhës të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës nuk përputhet me krahasimet e fytyrave të analizuara. Kjo do të thotë se asnjëri prej aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk është identifikuar dhe rrjedhimisht nuk është fajtor për veprën penale për të cilën po akuzohen”, shkruan avokati kosovar.

Ndryshe, gjyqi ndaj të akuzuarve për sulmin në Kuvend, ka nisur në fillim të këtij viti, derisa seanca e radhës është mbajtur të premten në Gjykatën Themelore të Prishtinës ku ka dëshmuar personi i cili ishte afër objektit të Kuvendit të Kosovës në kohën kur u sulmua.

Prokurori i Shtetit, që pohoi se nuk ka asnjë dilemë se të akuzuarit nga ana e tij janë kryesit e sulmit terrorist në fjalë, beson se Gjykata Themelore e Prishtinës, brenda këtij viti do të mund të dalë me një vendim për dënimin e Frashër Krasniqit, Egzon Halitit, Atdhe Arifit dhe Adea Batushës.

“Besoj që do të kryhet para Vitit të Ri”, tha Abudrrahim Islami.